Lajme

“Me ligj Pantiç s’do të duhej të lirohej, mund të ndërhyjë në dëshmitarë” – avokatët për lirimin e Dejan Pantiç


Lirimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës e ish-policit serb Dejan Pantiç i akuzuar për terrorizëm, për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, i ka befasuar edhe avokatët, meqë sipas tyre për veprën që akuzohet Pantiç qëndrimi në paraburgim është i domosdoshëm, pasi i dyshuari mund t’u u ikë organeve të rendit.

Avokati Mentor Beqiri, thotë për Albanian Post se Ligji nuk e parasheh lirimin në arrest shtëpiak të personave që akuzohen për terrorizëm.

“Nuk mund të bëhet një koment i tillë pasi që ligji nuk parasheh lirimin në arrest shtëpiak bazuar në llojin e veprës penale, por bazuar në rrethanat e rrezikut për ikje, përsëritje të veprës penale, apo ndërhyrje në dëshmitar dhe prova”, tha Beqiri.

Por, thotë se pa pasur qasje në lëndën konkrete, “s’mund të japësh mendim të mirëfilltë se a ka qenë i bazuar apo jo vendimi për arrest shtëpiak”.

Ndërsa për avokatin Arbër Jashari, kur një prokuror bënë kërkese për zëvendësimin e një mase për sigurimin e të pandehurit në procedurë, me një masë me të lehtë, gjykata nuk ka kurrfarë mundësie të veproj ndryshe përveç se ta aprovojë kërkesën e prokurorit.

“Në asnjë rast, gjykata nuk mundet me vendos më rëndë se sa kërkon prokuroria. Ky është parim në drejtësinë penale”, tregon ai për AP.

Ndërkaq për lirimin e Pantiç-it për t’u mbrojtur në liri, thekson se në teori është e mundur duke qenë se paraburgimi është veç një mase për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.

“Por, në praktik, rastet e tilla janë shumë të rralla”, shton ai.

“Ka mundësi që prokuroria, e ka ri-cilësuar veprën penale, në ndonjë vepër më të lehtë dhe kjo ka ndikuar në zbutjen e masës”.

Se lirimi në arrest shtëpie është i pakuptueshëm s’ka nevojë të jesh jurist.

Kryeministri i Kosovës është inxhinier i elektroteknikës, por me aq sa ka njohuri thotë se zbutja e masës për këtë rast është e çuditshme.

“Kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti gjatë një konference për media.

Pantiç’it i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë ka konfirmuar se ish-polici i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Pantiç, i cili u arrestua në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nga autoritetet kosovare nën dyshimin për sulme terroriste është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pantiç i cili deri të mërkurën ndodhej në paraburgim, tashmë do të mbrohet në arrest shtëpiak.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore