Lajme

Më 4 gusht mbahet mbledhja në mes të qeverisë së Serbisë dhe RS-së


Aleksander Vucic dhe Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka thënë këtë të shtune – pak ditë pasi që Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi – se seanca e përbashkët në mes të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Srpska dhe seanca e Këshillit për Zbatimin e Marrëveshjes për Marrëdhëniet Speciale dhe Paralele do të mbahet në Banja Lukë më 4 gusht.

Përveç qeverisë serbe, në këtë takim, ka njoftuar presidenti autoritar i RS-së do të jetë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dodik potencoi se pas mbledhjes së dy qeverive, do të mbahen edhe disa takime bilaterale të ministrave nga departamente të ndryshme.

“Pastaj unë dhe presidenti Vuçiç do të shkojmë në rrugën e Petrovacit, ku u bombardua kolona e refugjatëve serbë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe në operacionin ‘Stuhia’. Aty do të vendosim kurora me lule dhe më pas do të vijmë në Prijedor për të përkujtuar Ditën e Përkujtimit të serbëve të vrarë në ‘Stuhinë’”, theksoi Dodik, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten kishte takuar presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, me të cilin ishin pajtuar për organizimin e një takimit të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republika Srpska-s.

Takimi, siç edhe u konfirumua, do të mbahet në territorin e Republikës Srpska në Bosnje.

“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Srpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Srpskas, në territorin e Republikës Srpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiç.

Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiç-it zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Vuçiç e Dodik pajtohen për një takim të autoriteteve shtetërore të Serbisë dhe Republikës Srpska

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore