Shqipëria

Mbyllet orari zyrtar i votimit për zgjedhjet vendore 2023


Orari zyrtar i procesit të votimit për zgjedhjet vendore të vitit 2023 është mbyllur zyrtarisht në orën 19:00.

I gjithë procesi është shoqëruar nga problematika të lidhura me identifikimin elektronik, votimin familjar dhe intimidimin e zgjedhësve e cila u denoncua nga partitë politike.

Pjesëmarrja tepër e ulët ka qenë kryefjala e ditës së votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Por dalja publike e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për përditësimin e orës 17:00 krijoi një përplasje të vërtetë mes shifrave të raportuara online nga KQZ-ja dhe atyre reale të pjesëmarrjes në procesin e votimit.

Sipas shifrave të pasqyruara në faqen e KQZ-së, deri në orën 18:00, vetëm 36.39 për qind e qytetarëve me të drejtë vote u janë drejtuar kutive.

Kjo, referuar 2 mijë e 662 qendrave të votimit të raportuara nga 5 mijë e 213 në total për 694 mijë e 836 zgjedhës.

Në fakt, kryekomisioneri bëri me dije se raportimet reale kanë ardhur nga 4 mijë e 497 qendra votimi nga 5 mijë e 213 qendra gjithsej për 998 mijë votues lidhur me ata që janë identifikuar elektronikisht (93 për qind).

Shifrat tregojnë se numri i zgjedhësve duhet të jetë shumë më i lartë nga sa është reflektuar gjatë ditës (më shumë se 1 milion).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore