Kosova

Mbi 7 orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova


Ilustrim

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar të enjten se pritjet për të dalë nga Kosova nëpërmjet pikës kufitare në  Merdarë janë deri në 7 orë, ndërsa për të hyrë në Kosovë përmes kësaj pike, pritjet janë deri 5 minuta.

Në raportin e përditësuar të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, bëhet me dije se për të dalë nga Kosova nëpërmjet pikës kufitare në Merdarë, kolona e veturave shkon deri në 3 kilometra, kurse për të hyrë në Kosovë, nuk është raportuar për kolona të gjata.

Fluksi në pikat e kalimit kufitar

Ndërkaq, pritjet për të hyrë në Kosovë nëpërmjet pikave kufitare Dheu i Bardhë dhe Muçibabë janë 5 deri në 10 minuta, ndërsa për të dalë nga Kosova përmes këtyre dy pikave, pritjet janë deri në 1 orë e 30 minuta. Kolona e veturave për të dalë nga Kosova është 700 metra, respektivisht 800 metra.

Në pikat tjera kufitare – Qafë e Prushit, Qafë e Morinës, Kullë, Bërnjak, Hani i Elezit, Mutivodë, Bërnjak, Glloboqicë, Stançiq, Vërmicë, Hani i Elezit – pritjet për hyrje-dalje janë 5 deri në 10 minuta, ndërsa nuk është raportuar për kolona të gjata të veturave, përveç në Jarinjë ku kolona shkon deri 300 metra.

Ardhja e diasporës kosovare për t’i kaluar pushimet verore në atdhe dhe pastaj kthimi i tyre në shtetet perëndimore ku jetojnë, javën e fundit ka rikthyer kolonat dhe pritjet e gjata në kufij, veçanërisht në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë në kufirin me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore