Shqipëria

Mbi 60 mijë fëmijë të larguar për 10 vite, Ilir Meta shpreh shqetësimin


“Sipas të dhënave të bëra publike nga EUROSTAT, mbi 60 mijë fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit”.

Kështu e ka nisur shqetësimin e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të premten e 3 shtatorit, përsa i përket statistikave të largimit të fëmijëve për vitet 2011-2020.

“Mbi 82% e tyre janë nën moshën 14 vjeç”, thekson Presidenti Meta.

Më tej ai ka vijuar se, “duhet të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre. Të rikthejmë besimin duke u garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt evropiane në Atdhe”.

Nga ana tjetër duke mbështetur kërkesën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA/ECPAT, Meta ka inkurajuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar sapo Kuvendi i ri i Shqipërisë të nisë detyrën më 10 shtator.

Kjo Qendër i është referuar statistikave të Bashkimit Evropian nga zyra e EUROSTAT-it. Kjo e fundit ka dalë në rezultatin se Shqipëria numëron gjithsej në vitin 2021 rreth 656 mijë e 441 fëmijë nën 18 vjeç.

Në bazë të këtyre të dhënave rezulton se rreth 10% e popullsisë së fëmijëve është larguar nga Shqipëria brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore.

Sipas CRCA/ECPAT një largim kaq i konsiderueshëm paraqet një sërë rreziqesh ekonomike, sociale dhe politike. Këto të fundit si në planin afat-shkurtër ashtu edhe atë afat-gjatë të zhvillimit të vendit.

Ata ngritën pyetjet se, “nuk dihet se sa nga këta fëmijë e kanë përfituar të drejtën e azilit dhe sa prej tyre ju është refuzuar kjo e drejtë?”.

Përsa i përket ndarjes gjinore, numrin më të lartë e kanë djemtë. Rreth 45% e fëmijëve të larguar janë vajza ndërsa 55% janë djem. Të gjitha këto të dhëna e bëjnë fenomenin e largimit të tyre edhe më shqetësues.

Nga të dhënat vendi më i preferuar nga fëmijët për të kërkuar azil është Franca, e ndjekur nga Gjermania dhe Belgjika.

Ndërkohë duke iu bërë thirrje qeveritarëve, kjo Qendër ka sjellë në vëmendje se, “BE-ja nuk ka një politikë të unifikuar përsa i përket azilit, ndaj qëndrimi i fëmijëve varet nga ligjet dhe politikat që zbaton secili vend anëtar”.

Gjithashtu ka vënë në dukje se kërkesat e fëmijëve që me origjinë shqiptare e renditur shtetin në vend të 5-të, pas atyre si: Afganistani, Siria, Iraku dhe Rusia.

“CRCA/ECPAT Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria dhe për faktin që askush nuk flet për këtë fenomen, sikur të mos ekzistonte!”.

Ata vendosën theksin se sapo Kuvendi i Ri i Republikës së Shqipërisë të nisë punën me një kërkesë zyrtare ata do të kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar .

Kjo e fundit duhet të hetojë gjendjen e këtyre fëmijëve, vendodhjen e tyre si dhe përgjegjësit për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria.

“Vetëm investimet serioze në arsim, ushqimin dhe sigurinë e fëmijëve, argëtimin dhe shërbimet e mbrojtjes shoqërore, do të bënin të mundur që fëmijët të qëndrojnë dhe investojnë për një jetë më të mirë në Shqipëri”, e mbyll thirrjen kjo Qendër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore