Lajme

Marko Gjuriç u paraqit me simbolet dhe akronimet e Asociacionit në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës është paraqitur në seancën për raportin gjashtë-muajsh të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me seli në New York, me një maskë në të cilën shfaqej simboli serb për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe akronimin “ZSO”.

“Ekipi ynë po përgatitet për sesionin e rregullt të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres mbi punën e UNMIK -ut”, shkroi ai në Twitter dhe përshkrimin e postoi bashkë me një foto ku shihej simboli.

Fotografitë e Gjuriç me “ZSO” gjithashtu janë publikuar në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë në Twitter.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç, u ankua pse në maskën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ishte vendosur stema e shteti të Kosovës.

Osmani e Selakoviç janë përplasur në këtë seancë gjatë fjalimeve dhe replikave të tyre për situatën e fundit në Veri.

Derisa Selakoviç ka tentuar ta paraqes situatën si represioni i autoriteteve të Prishtinës zyrtare mbi serbët lokalë në Veri të Kosovës, sidomos pas aksionit të fundit të policisë kundër kontrabandës me mallra, Osmani ia ka bërë me dije se ishte thjesht një aksion që s’kishte lidhje me etninë e atyre që ndiqeshin, por me veprimtarinë e tyre ilegale.

Në këtë seancë është diskutuar edhe për vazhdimin ose jo të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që njihet si UNMIK.

Derisa Shtete e Bashkuara dhe Britania, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit në OKB, janë shprehur pro shuarjes së këtij misioni, Rusia e Kina kanë qenë kategorikisht kundër.

Kurse Franca, anëtar tjetër i përhershëm i KS-së së OKB-së, nuk ka pasur një koment për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore