Shqipëria

Margariti: Lumturi Blloshmi, artistja e vitit 2022


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një statusi në median sociale Facebook , ka kujtuar artisten që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Lumturi Blloshmi.

“Vetëm pak ditë më parë u mbush një vit nga ndarja e artistes nga jeta, për shkak të Covid 19 dhe Ministria e Kulturës e pa të udhës t’i bëjë një homazh figurës së kësaj artisteje me një temperament të rrallë, gjithnjë kërkuese, gjithnjë provokuese”, shkruan ministrja duke theksuar se Blloshmi është përzgjedhur si artistja e vitit 2022.

Ajo ka thënë se pavijoni do të kurohet nga Adela Demetja, si njohëse mjaft e mirë e veprës së Blloshmit, “por edhe një kuratore, me një eksperiencë të konsoliduar brenda e jashtë vendit”.

Margariti shprehet se k joe fundit i është përgjigjur kërkesës me një qasje që bën bashkë disa mediume e që do të paraqesin të plotë veprën dhe botën e Lumes, e cila sipas Margaritit, i tejkalonte kufijtë e lokales.

Lumturi Blloshmi -Piktore

Lumturi Blloshmi është pjesë e artistëve bashkëkohës modernë shqiptarë.

Artistja Blloshmi kryeu  Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1959-1963) dhe vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve,Tiranë dhe diplomohet në vitin 1968.

Blloshmi është anëtare e shoqatës së grave artiste shqiptare “Linda”.

Piktorja Blloshmi filloi krijimtarinë në prag të ngjarjeve të vështira që kalonin artistët në Shqipëri në vitet 1973-1974, ku mjaft udhëheqës të lartë të Partisë dhe shtetit si dhe krijues artistë u dënuan me burgime nga diktatori i atëhershëm Enver Hoxha.

Pra, në këtë atmosferë ajo punoi kryesisht pejzazhe e portrete me të cilat prezantohet në ekspozitat kombëtare të kohës, të cilat janë realiste.

Ekspozita e parë personale i përket vitit 1988 (Berat) dhe po atë vit ajo është pjesëmarrëse në Bienalen e Ankarasë (Egjipt).

Artistja Lumturi Blloshmi veçanërisht pas viteve ’90 vlerësohet dhe evidentohet si një nga piktoret më të mira bashkëkohore në artet pamore shqiptare.

Duke filluar nga viti 1992 ajo realizoi një cikël tablosh me nudo, ku vërehen shpërthime ekspresioniste dhe një modelime monumentale të figurës, ngjeshje të formës që shoqërohet me sfonde të qetë njëngjyrësh, apo dhe me sfonde me dritë të qartë.

Interesi i piktores për temat e rëndësishme sociale dhe shpirtërore shpalosen në zgjidhje të ndryshme kompozicionale në tablotë e saj “Martesa” (1995), “Misteri Biblik” (1995), “Etaloni perfekt” (1995), “Piktori i kryqëzuar” (1995).

Cikli më interesant i kësaj periudhe  është ai kushtuar eksodit (ai përbëhet nga dy grupe në formë triptiku).

Piktorja Blloshmi është në këtë periudhë ndër të paktët artistë shqiptarë që pasqyrojnë me një gjuhë simbolike figurative eksodin e madh të shqiptarëve drejt Italisë të viteve 91 – 92.

Në tablotë e saj (kolazhe) ajo është e papritur dhe përdor mbi telajo edhe sende e objekte të marra nga jeta.

Megjithatë, ajo mbetet një piktore figurative që përcjell mesazhe të rëndësishme sociale me një gjuhë artistike bashkëkohore.

Blloshmi ka realizuar edhe vepra në instalacion në disa ekspozita vetjake, duke zgjedhur tema nga lindja.

Krijimtaria e saj shfaqet si art-sintezë, performancë, instalacion, fotografi, vizatim, pikturë, të konceptuara në mënyrë moderne dhe bashkëkohore. Në vazhdimësi Blloshmi, në studion e saj realizoi natyra të qeta me lule, të cilat i ka pasion. 

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë  ndodhen tetë punime të artistes.

Blloshmi ka çelur shumë ekspozita vetjake në Shqipëri dhe ka ekspozuar në grup në ekspozita në disa vende të evropës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore