Kosova

Makineria propagandistike e Rusisë: Ukraina – lidere në trafikimin e organeve, bashkëpunon edhe me UÇK-në


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një editorial të mbushur plot propagandë dhe të pavërteta, ka hedhur akuza në drejtim të Ukrainës se gjoja po merret me trafikimin e organeve të viktimave të luftës, madje në bashkëpunim me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një editorial të botuar të hënën në gazetën ruse që mbi të gjitha shërben për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave nga Qeveria e Rusisë, ajo shkruan se “Ukraina është e njohur si lidere botërore në trafikimin e organeve” për një kohë të gjatë, ndërse ka tentuar që këto pretendime t’i ndërlidhë me luftën e UÇK-së.

Ajo ka pretenduar se individë të UÇK-së mund të kenë lidhje apo merren me trafikimin e organeve, ndërsa ka përmendur edhe gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish–drejtuesve tjerë të UÇK-së që ka nisur në muajin prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

“Ka informacione se individët e përfshirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mund të kenë një dyqan organesh ose të paktën merren me trafikimin e organeve. Një nga udhëheqësit e saj tani është në gjyq për trafikim të organeve të ushtarëve të vdekur serbë, civilëve dhe disidentëve të tjerë gjatë luftës në Jugosllavi”, ka shkruar ajo.

Ndonëse transformimi i UÇK-së ka përfunduar në vitin 2000, menjëherë pas hyrjes së trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe kapitullimit të Serbisë, zëdhënësja ruse ka pretenduar se UÇK-ja është ende duke funksionuar, veçse me një emër tjetër, ndërsa ka shtuar se “ushtarët e saj mund të luftojnë si mercenarë në Ukrainë”.

Rusia ka kohë që është përqendruar në lojën e propagandës dhe dezinformatave, veçanërisht pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke përdorur mediat tradicionale dhe ato sociale, për të ndryshuar narrativën në favor të saj, teksa po përballet me sanksione globale për shkak të agresionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore