Lajme

Luftarakët kinezë fluturojnë afër Tajvan-it para vizitës së Pelosi-t


Kina po rrit aktivitetin ushtarak rreth Tajvanit përpara një vizite të mundshme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Nancy Pelosi.

Zyrtarja e lartë amerikane pritet të zbarkojë në Taipei të martën mbrëma.

Lajmi u bë i ditur nga botimi londinez “Financial Times”.

Disa avionë luftarakë kinezë fluturuan afër vijës mesatare që ndan ngushticën e Tajvanit të martën në mëngjes.

Kjo, sipas një zyrtari tajvanez të informuar mbi zhvillimet.

Njësitë ushtarake në të gjithë Komandën e Teatrit Jugor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, e cila është përgjegjëse për Detin e Kinës Jugore dhe disa misione të lidhura me Tajvanin, kanë hyrë në një status gatishmërie të lartë, sipas zyrtarëve ushtarakë në dy vendet fqinje.

Lëvizjet erdhën pasi Tajvani dhe SHBA-të u përgatitën për një reagim të mundshëm të dhunshëm nga Pekini, i cili ka paralajmëruar vazhdimisht se PLA-ja “nuk do të rrinte duarkryq”.

Kjo, nëse Pelosi do të vizitonte Tajvanin si pjesë e një udhëtimi më të gjerë në Azi që filloi në Singapor të hënën.

Kina njoftoi gjithashtu një seri tjetër stërvitjesh luftarake në Detin e Kinës Jugore të planifikuara të zgjasin nga e marta në mëngjes deri në mbrëmjen e së shtunës, pas stërvitjeve të ndryshme javën e kaluar.

Trafiku ajror i brendshëm në Fujian, provinca kineze më e afërt me Tajvanin, u ndërpre të martën, një shenjë se hapësira ajrore mund të pastrohet për lëvizjet ushtarake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore