Lajme

Lirinë e shijojnë por UÇK’në s’e mbrojnë – pse shteti nuk po reagon ndaj parregullsive në Gjykatën Speciale?


Albin Kurti dhe Vjosa Osmani gjate fushates per zgjedhjet e fundit ne Kosove

Të mërkurën mbrojtja e ish-kryeparlamentarit, Kadri Vesli, publikoi të dhëna që zbulonin se si dëshmitarë të caktuar nga Gjykata Speciale në fakt janë të rekrutuar nga agjentë të shërbimit inteligjent serb BIA, por përkundër kësaj nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Qeveria e Kosovës.

Ky nuk është as skandali i parë e as më i madh i kësaj gjykate.

Albanian Post ka publikuar një dokumentar rreth zhvillimeve të tilla në gjykatë, nga shkelja e afateve, fshehja e provave shfajësuese nga mbrojtja, rrjedhja e dokumenteve e shumë zhvillime të tjera nga Specialja që po akuzon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e të tjerë, “për krime lufte”.

Zgjim Hyseni, nën-kryetar i Partisë Socialdemokrate, thotë se në Kosovë e shikojnë lirinë pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetë UÇK-në nuk e mbrojnë.

“Gjykata Speciale si strukturë është e mundur vetëm në boshllëkun që krijohet nga mungesa e shtetit. Kështu është historiku i saj. Janë gjithë ato vërejtje për Gjykatën qysh në krye të herës. Qe nga emergjenca që krijoi horrori me organe, deri te paradoksi i Tribunalit kosovar me seli në Hagë”, thuhet në shkrimin e Hysenit në llogarinë e tij në Facebook.

“Aktakuza është me vonesë; si mos me mjaftu kjo, hetimet vazhdojnë edhe pas aktakuzës; ndërkohë, njerëzit i mbajmë të mbyllur, kaluan 2 vjet. Avokati i Kadri Veselit tregoi dje të reja për Specialen. Dëshmitarë të rekrutuar nga agjentë të BIA-së serbe, disa sosh”, vazhdon Hyseni dhe shton se përkundër të gjithave “Kosova nuk i mbron njerëzit e saj”.

“Ky boshllëk po mbushet me materiale të fabrikuara. Qeveria nuk lë gur pa lëvizur tu i luftu Gjykatat këtu. Kur jemi të Specialja, na e ruan pavarësinë e gjyqësorit. Kosova e ‘shlirë’ nuk e mbron UÇK-në, edhe kur të drejtat e njeriut shkelen. Është mjaftuar, e shijon lirinë”, përfundon statusi i tij.

Nga të gjithë zyrtarët e lartë në Kosovë, ka qenë vetëm kryeparlamentari Glauk Konjufca që vizitoi Thaçin dhe të tjerët në Hagë.

Konjufca ka qenë i vetmi po ashtu ka folur hapur për parregullsitë që vazhdimisht po ndodhin në Speciale.

Konjufca kritikon punën e Speciales: I pashpjegueshëm izolimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore