Lajme

Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj Robert Fico-s


Liderët botërorë kanë dënuar sulmin me armë zjarri ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico.

Ai u dërgua menjëherë në spital por aktualisht po transportohet me helikopter në qytetin më të afërt Banska Bystrica pasi ndodhet në gjendje kritike për jetën, njoftoi pak më parë zyra e shtypit të qeverisë së tij.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dënon atë që ajo e quan një “sulm të poshtër” ndaj Ficos.

“Dënoj fuqishëm sulmin e poshtër ndaj kryeministrit Robert Fico. Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, ka shkruar von der Leyen në rrjetin social.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dënoi sulmin ndërsa shton se dhuna nuk duhet të ekzistojë në asnjë shoqëri.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi i sulmit frikacak ndaj kryeministrit sllovak Fico. Dhuna nuk duhet të ekzistojë në politikën evropiane. Në këto orë, mendimet e mia janë me Robert Fico, familjen e tij dhe qytetarët e Sllovakisë”, shprehet lideri gjerman.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak thotë se është “i tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkruan: “Sulm i tmerrshëm ndaj kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico. Ne e dënojmë ashpër këtë akt dhune ndaj kreut të qeverisë së shtetit tonë partner fqinj. Duhet bërë gjithçka që është e mundur që dhuna të mos bëhet normë në asnjë vend, në asnjë formë dhe në asnjë fushë. Ne shpresojmë sinqerisht për një shërim të shpejtë të Robert Fico dhe shprehim mbështetjen tonë për popullin e Sllovakisë”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dënoi gjithashtu ngjarjen.

“Mësova me tronditje të thellë lajmin e sulmit frikacak ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico. Të gjitha mendimet e mia janë me të, familjen e tij dhe popullin mik sllovak. Gjithashtu në emër të qeverisë italiane dëshiroj të shpreh dënimin më të fortë të çdo forme dhune dhe sulmi ndaj parimeve kardinalë të demokracisë dhe lirisë.”

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban thotë se është “thellësisht i tronditur nga sulmi i urryer kundër mikut tim, kryeministrit Robert Fico”.

“Jam thellësisht i tronditur nga sulmi i tmerrshëm ndaj mikut tim, kryeministrit Robert Fico. Ne lutemi për shëndetin dhe shërimin e tij të shpejtë! Zoti e bekoftë atë dhe vendin e tij!”, shkruan Orban.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore