Jetesë & Stil

Ledri Vula s’është i interesuar për një bashkëpunim me Iggy Azalean


Rep artisti nga Kosova, Ledri Vula, është goxha i rezervuar kur bëhet fjalë për intervista, por një të tillë si rrallë herë e ka dhënë për emisionin “Soiree”, ndërsa ka shpalosur rrëfime mbi rrugën e gjatë të karrierës së tij.

Dikur ishte përfolur pafund se ai e kishte mundësinë të realizonte një bashkëpunim të nivelit ndërkombëtar, me rep artisten e famshme australiane, Iggy Azalea.

Por, Vula, ka treguar versionin e tij mbi këto thashetheme teksa është shprehur se Azalea nuk është në shijet e tij.

“Iggy Azalea mund të jetë një artiste shumë e famshme, por mua nuk më ka pëlqyer ndonjëherë. Fatoni (menaxheri i dikurshëm) ka folur, më ka thënë a do të bësh këngë me të, i kam thënë jo se nuk më hyn asgjë në punë”, është shprehur Ledri Vula.

Ledri, ka thënë se tregu ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë mes synimesh të tij.

“Nuk më hyn në punë. 2 followers-a më shumë që pas 2 muajsh të bëjnë unfollow. Nëse do kisha ndonjë synim (për tregun ndërkombëtar), nuk do e kisha bërë me Iggy Azelia, por me dikën tjetër”, ka thënë ai.

Vlen të theksohet se Iggy Azalea është njëra ndër artistet më të suksesshme të zhanrit rep dhe numëron plot hite që kanë kaluar shifrat milionëshe, mes tyre ajo ka pasur bashkëpunime me artistët e rangut të saj, të tillë si; T.I, Rita Ora, Ariana Grande, Britney Spears e Jennifer Lopez.

Gjithashtu, Ledri, ka kujtuar edhe fillimet e tij të rrugëtimit muzikor, grupin e dikurshëm “Skillz”, brenda të cilit ishte pjesë bashkë me rep artistin, Visar Shala – Skivi.

“Ka qenë unë e Skivi, sa ishim bërë grup. Donim të fillonim të këndonim një këngë bashkë. Na pyesnin a doni të dilni të këndoni? Unë doja të dilja të këndoja gjithsesi, edhe nëse ata këndojnë, edhe nëse ata s’këndojnë, e nëse ka para apo s’ka pare”, tha Ledri.

Ani pse, sot është mes artistësh më të paguar dhe me të kërkuar për koncerte dhe mbrëmje muzikore, jo gjithmonë ka qenë ky realiteti që e ka përcjellë Vulën.

Ylli i hitit “Ni gotë për ty”, ka thënë se karrierën e tij e ka nisur me një pagesë minimale prej 15 eurove, ndërsa kishte vazhduar dalë nga dalë me fitime më të mëdha, teksa paratë e para të fituara nga muzika ia ka dhënë nënës së tij Xheraldinës në shenjë mirënjohje që e ka ndihmuar për realizimin e klipit të parë.

Në anën, tjetër, ditë më parë Ledri Vula, bashkë me artistët, Kida dhe Butrint Imeri, kanë publikuar projektin e tyre të përbashkët muzikor me titull “Dale”.

“Dale” është mirëpritur nga fansat e treshes, dhe për më pak se dy javë ka kaluar shifrën prej 10 milionë klikimesh në YouTube.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore