Lajme

LDK: Skandalet s’po e trembin pushtetin arrogant – version i qeverisjes së Tik-Tokut


Ilustrim

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po frikësohet nga skandalet periodike të qeverisjes por përkundrazi, derisa ka numëruar disa prej tyre.

Halimi ka përmendur “ultimatumin” e presidentit të Francës Emmanuel Macron që nëse nuk arrihet progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zgjidhjen e ngërçit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë, francezët dhe gjermanët do t’i rishikojnë politikat e tyre të vizave dhe çështjet tjera ekonomike.

Përveç dështimit për t’i siguruar tekstet shkollore për nxënësit, ajo ka përmendur edhe rastin ku disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar t’i marrin meritat për “rritjen ekonomike” të vendit, duke marrë për referencë një artikull të sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në revistën britanike “Economist Impact”.

“Skandalet e njëpasnjëshme nuk e trembin qeverinë arrogante që merret me të shkuarën si zëvendësim për progresin sot. Qeveria e Kosovës mburret derisa i ka sjellë vendit ndëshkim e izolim. Partia në pushtet në dëlir të propagandës për të shtrembëruar realitetin, ka krijuar një version të tipit tik-tokian të qeverisjes”, ka shkruar ajo.

Për të ilustruar zinxhirin e fuksionimit të partisë që për më shumë se dy vite ushtron pushtetin ekzekutiv, zëdhënësja e LDK-së është shërbyer me fjalët e teoricienit marksist francez Guy-Ernest Debord, i cili, sipas saj, shkruante ndër të tjera se “spektakli është ëndrra e keqe e shoqërisë së prangosur”.

“Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet spektaklit mund të tentojë t’i vë qytetarët në gjumë, por ata në një mëngjes të zymtë mund të zgjohen dhe të kërkojë të vërtetën. T’i thonë ndal mashtrimit”, ka shkruar Halimi në llogarinë e saj, të martën në mbrëmje.

E derisa vazhdon “ping-pongu” pushtet-opozitë se kush duhet të bartë pjesën më të madhe të fajit për gjendjen socio-politike në Kosovë, dhjetëra mijëra qytetarë kosovarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur një jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore