Kosova

LDK-ja pranon ftesën e Osmanit për diskutimin e datës së zgjedhjeve


Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që do të mbahet më 31 korrik për t’u konsultuar rreth zgjedhjeve të reja.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do të japë qëndrimet e LDK-së”, ka thënë Mustafa për AP.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka dërguar partive politike parlamentare ftesë për takim.

Siç ka raportuar Albanian Post nga burime brenda presidencës, tema e takimit do të jetë caktimi i datës së zgjedhjeve.

Takimi është ftuar të mbahet me 31 korrik, meqë ligjërisht nga 26 korriku fillon zyrtarisht data kur i lejohet presidentes të ftojë palët për t’u koordinuar për zgjedhjet.

Ndërsa edhe përmes një letre të publikuar në media më pas nga presidenca është bërë e ditur se zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar – 16 shkurt.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e siguruar nga mediat.

Para Osmanit, dëshirën për të shkuar në zgjedhje e kishte shprehur edhe partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, por që nga opozita s’kishte pasur koordinim me njëra-tjetrën.

Më 24 maj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i kishte dërguar letër kryeministrit, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku e kishte theksuar nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, gjatë asaj periudhe i kishte ftuar partitë politike për t’u takuar për të diskutuar për zgjedhjet e reja por që pozitivisht i ishte përgjigjur vetëm Krasniqi i PDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kishin kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ose rrëzimin e Qeverisë me mocion të mosbesimit.

Në kushtet normale, zgjedhjet parlamentare do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025.

Zgjedhjet e fundit nacionale ishin mbajtur më 14 shkurt të 2021-së, ku Lëvizja Vetëvendosje kishte dalur e para me më shumë se 50 për qind të votave.

Partia e dytë ishte PDK-ja, e treta LDK-ja, kurse e katërta AAK-ja.

Takimi Kurti – Krasniqi dhe zgjedhjet “e verës”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore