Takimi Kurti – Krasniqi dhe zgjedhjet “e verës”

Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Valon Rashiti
14.05.2024 7:30
Loading Icons...

Mbajtja e zgjedhjet të jashtëzakonshme parlamentare, doli të jetë tema kryesore e “darkës së punës” mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, për çka edhe pati një lloj “dakordance”, por siç u tha pas takimit të hënën, për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.

“Jam i interesuar ta diskutoj me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim”, tha Kurti para gazetarëve.

Pos zgjedhjeve, Kurti potencoi se është diskutuar edhe për “agjendën legjislative” për çka edhe e kishte bërë zyrtarisht ftesën për kreun e PDK-së, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por që këta dy të fundit e refuzuan.

“Sonte diskutuam çështje të aktualitetit politik, por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk mjafton shumica e thjeshtë. Gjithashtu i kemi projektligjet që na nevojitet mbështetja e opozitës dhe bashkëpunimi me ta. Për këtë diskutuam, si do të mund të komunikojmë më mirë në ditët në vijim”, pohoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka treguar se ka pranuar të takohet me kryeministrin për t’i kërkuar një datë të zgjedhjeve dhe që bashkërisht të votohet një mocion për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

“Unë i jam përgjigjur ftesës së Kurtit për ta takuar në një darkë pune, sepse konsideroj se është e rëndësishme t’ia shpreh qëndrimet e mia dhe të PDK-së drejtpërdrejtë dhe qartë, sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij”, potencoi Krasniqi.

Tutje, para gazetarëve, kreu i PDK-së ka theksuar se “unë dhe zotëri Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kryeministrit të Kosovës”.

Krasniqi ka folur edhe për kandidimin e Bedri Hamzës nga partia e tij për kryeministër të Kosovës, derisa ka kërkuar që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Tashmë e kemi nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por një gjë është e domosdoshme, ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme dhe kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim”.

Ndryshe, Krasniqi ishte i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit, meqë Abdixhiku dhe Haradinaj, e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku duke i thënë se “është vonë”.

Ky i fundit ka reaguar pas takimit mes Kurtit dhe Krasniqit, duke thënë se partia e tij e mbështet idenë për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Kurti.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook të hënën.

Deputeti i AAK-së ka theksuar tutje se Kurtit “po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”.

“Në këtë prizëm duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, potencoi kreu i AAK-së.

Të fundit

Aktuale