Kosova

LDK dorëzon kërkesën për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit


Leotrim Ahmeti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se në emër të LDK-së, e kanë dorëzuar zyrtarisht një kërkesë për Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, për ta vendosur shtatoren e Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit.

Përmes një postimi, në rrjetin social, Facebook, Hoti, ka theksuar se shtatorja e Leotrimit “është bërë simbol i së vërtetës historike të popullit të Kosovës”.

“Vendosja e shtatores së njëjtë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si një mënyrë e denjë për të memoralizuar të kaluarën e rëndë të Kosovës dhe për të përkujtuar sakrificën e mbi 1.000 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit”, ka shkruar ai.

Hoti ka kërkuar veprime konkrete nga autoritetet e Kosovës lidhur me shtatoren.

“Pas, marrjes së pëlqimit të familjes Ahmeti, ne kërkojmë nga autoritetet e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar këtë kërkesë dhe për të kujtuar përgjithmonë historinë e rëndë të kombit tonë”, tha ai.

Tutje, ai ka theksuar se do të angazhohen që kjo shtatore të vendoset edhe në kryeqendrat e vendeve të rëndësishme perëndimore.

Ndryshe, në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, në oborrin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” pranë sheshit “Adem Jashari” është përuruar shtatorja e Leotrim Ahmetit, shtatëvjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ahmeti si shtatëvjeçar vdiq më 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros.

Tetë muaj pas vrasjes së tij, si luftëtar ra babai i tij, Malush Ahmeti.

Skulptori, Sadri Behramaj, kishte deklaruar se për punimin e kësaj skulpture u frymëzua nga intervista e Nusret Pllanës me nënën e shtatëvjeçarit në Radio Televizionin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore