Lajme

Lavrov: Rusia po kontrollon nëse agjencitë perëndimore ishin të përfshira në kryengritje


Shërbimet e inteligjencës ruse po hetojnë nëse agjencitë perëndimore të spiunazhit kanë luajtur rol në rebelimin e ndërprerë nga mercenarët Wagner.

Kështu mësohet se ka thënë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, referuar agjencisë së lajmeve “TASS”.

Sipas tij, ambasadorja amerikane Lynne Tracy ka folur me përfaqësuesit rusë dhe ka dhënë “sinjale” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin të përfshira në kryengritje.

Dhe se Washington-i shpresonte që arsenali bërthamor i Rusisë do të mbahej i sigurt.

Po ashtu Lavrov thuhet se ka cituar Trejsi të ketë thënë se rebelimi ishte çështje e brendshme e Rusisë.

Sakaq, disa liderë perëndimorë kanë thënë se incidenti tregon se paqëndrueshmëria po rritet në Rusi si rezultat i vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të dërguar forcat e tij të armatosura në Ukrainë në fillim të vitit të kaluar.

Dyshimet mbi të ardhmen e Wagner-it kanë ngritur pyetje nëse do të vazhdojë operacionet në vendet afrikane si Mali dhe Republika e Afrikës Qendrore, ku forcat e tij kanë luajtur një rol të madh në konfliktet e brendshme të gjata.

Që kur lufta në Ukrainë minoi lidhjet dhe tregtinë e Rusisë me Perëndimin, Kremlini gjithashtu ka theksuar angazhimin ndaj Afrikës.

Lavrov ka thënë se Mali dhe Republika e Afrikës Qendrore mbanin kontakte zyrtare me Moskën krahas marrëdhënieve të tyre me Wagner-in.

Ai ka shtuar ndër të tjera se “disa qindra ushtarakë po punojnë atje si instruktorë; kjo punë, natyrisht, do të vazhdojë”.

Një këshilltar presidencial për presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore ka treguar se asgjë nuk ka ndryshuar që nga ngjarjet e fundjavës në Rusi.

Fidele Gouandjika ka thënë se Wagner nuk ishte krijuar zyrtarisht në vend dhe se marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak që ata nënshkruan ishte me Federatën Ruse, e cila vendos kontigjente sipas zgjedhjes së saj.

“I pari është i përbërë nga instruktorë rusë për të trajnuar forcat tona të sigurisë… kontingjenti i dytë janë ushtarë që Perëndimi i quan Wagner”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Lavrov ka thënë se pretendimet ukrainase se Rusia planifikon të organizojë një sulm që përfshin lëshimin e rrezatimit në centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s në jug të Ukrainës janë “të pakuptimta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore