Kosova

Lajçak i përgjigjet Gërvallës për terroristët e Banjës: Qëndrimi i BE-së është i qartë – autorët të mbahen përgjegjës


Miroslav Lajçak

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se do të dëshironte që t’i dëgjonte Miroslav Lajçak-un, dhe James O’Brien-in, se si e komentojnë sulmin terrorist në Banjë, pasi që kryekrimineli Milan Radojçiç, ka marrë përgjegjësinë e nuk është dënuar, dhe sipas saj, Bashkimi Evropian s’ia ka vendosur emrin sulmit si duhet.

Këtë, Gërvalla e bëri në një panel diskutimi në margjinat e Forumit të Dubrovnikut, ku, ndër të tjerë, pjesë e tij ishin edhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi.

“Derisa të gjithë duam të shohim të ardhmen, është e kaluara e Serbisë që s’na lë të ecim përpara dhe për këtë, për Banjën, për mungesën e dënimit të Radojiçiç-it… do të doja t’i dëgjoja O’Brien-in apo Lajçak-un, si e komentojnë këtë, sepse në Kosovë ne kemi thënë qartë çka është, është akt i agresionit ndaj Kosovës dhe partnerët tanë, dhe partnerët tanë duhet: ShBA-ja e ka bërë, BE-ja ende. Duhet ta emërtojnë ashtu siç duhet të emërtohet”, tha Gërvalla.

Përgjigje mori vetëm nga diplomati sllovak.

Lajçak theksoi se sa i përket sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, Unioni ka qenë shumë i qartë: autorët duhet të mbahen përgjegjës.

“Do të doja të thosha që pozicioni i BE-së është formalizuar dhe ka qenë shumë i qartë: autorët e veprimeve kriminale më 24 shtator, por edhe më 29 maj [sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan], duhet të mbahen përgjegjës”, tha Lajçak.

Ai insistoi se “nuk ka imunitet për ata”, dhe bëri me dije që BE-ja e ka ripërsëritur këtë pozicion edhe në takimet bilaterale.

Ndryshe, përgjegjësinë për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, e ka marrë Milan Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Radoijçiç, së bashku me një grup të terroristëve, kishin arritur që të iknin nga Kosova për në Serbi, ku edhe janë duke qëndruar aktualisht.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin, derisa kanë kërkuar që organizatorët të mbahen përgjegjës.

Radojiçiç, për këtë rast, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar vetëm një ditë më pas.

Nga ana tjetër, Kosova vazhdimisht është duke kërkuar ekstradimin e tij dhe të tjerëve, mirëpo Serbia ka refuzuar që ta bëj një gjë të tillë.

Në fakt, shteti serb nuk është distancuar fare nga sulmi i 24 shtatorit, përkundrazi kanë shpallur ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë në Banjë të Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore