Lajme

Kuvendi voton pro dërgimit të kontingjentit të FSK-së në ishujt Falklands


Me 77 vota për deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për dërgimin e kontingjentit Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht në dërgimin në operacionin për mbështetjen e paqes sipas marrëveshjes implementuese lidhur me atashimin e personelit të FSK-së në Ishujt Falklands.

Të martën, në mbledhjen e 110-të që u zhvillua në mënyrë elektronike, qeveria propozoi dërgimin e shtatë pjesëtarëve të FSK-së në arkipelagun e Atlantikut Jugor.

“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falklands dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar”.

Në këtë mision do të dërgohen deri shtatë pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi.

“FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”.

Ishujt Falkland

Në vitin 1982, Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar u përfshinë në një luftë që njihet si Lufta e Falklands apo “Guerra de las Malvinas”.

Kjo ishte një luftë dhjetë-javore mbi dy territore të varura britanike në Atlantikun e Jugut.

Konflikti filloi më 2 prill, kur Argjentina pushtoi Ishujt Falkland, pasuar nga pushtimi i Gjeorgjisë Jugore të nesërmen.

Më 5 prill, qeveria britanike dërgoi një task-forcë detare për të angazhuar Marinën dhe Forcën Ajrore Argjentinase përpara se të bënte një sulm amfib në ishuj.

Konflikti zgjati 74 ditë dhe përfundoi me një dorëzim argjentinas më 14 qershor, duke i kthyer ishujt nën kontrollin britanik. Në total, 649 personel ushtarak argjentinas, 255 ushtarakë britanikë dhe tre banorë të ishullit Falkland u vranë gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore