Lajme

Kush donte ta vriste presidentin malazez?


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

Prokuroria e Lartë e Malit të Zi ka ngritur rast lidhur me publikimin e transkriptit të bisedës për planin e vrasjes së presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

“Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë, me të marrë vesh, ka hapur rast lidhur me transkriptet e publikuara në media që i referohen bisedës për vrasjen e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton portali malazez ‘Antena M’.

“Në vazhdim të procedurës do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për verifikimin e pretendimeve mediatike dhe vërtetimin e të gjitha fakteve, pas së cilës do të vendoset për rastin”, ka thënë kryetarja e Prokurorisë, Lepa Medenica.

Mediat malazeze raportuan mëngjesin e 6 shtatorit se në “SKY ECC” pjesëtari i grupit të organizuar kriminal “Predha” Srdan Vukiç, i cili para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit të vitit 2020 ka qenë truprojë e Marko Milaçiç, dhe Zlatko Drashkoviç, kanë diskutuar për vrasjen e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Sic raporton portali malazez, Vukiç ashtu edhe Drashkoviç janë identifikuar nga shërbimet e sigurisë që analizuan bisedat e tyre si pjesëtarë të klanit “Predha” nga dega e Tivarit.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviç, tha se materialet e publikuara sot në bazë të të cilave mund të vërtetohet pa mëdyshje se anëtarët e klanit ‘Predha’ kishin plane për të vrarë presidentin Gjukanoviç, “është alarmant dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga sektori i sigurisë dhe nga prokuroria kompetente”.

Ai shtoi se ky grup kriminal së bashku me partitë politike dhe mediat “me sa duket kanë bërë fushatë të përbashkët për zgjedhjet e 30 gushtit për të marrë pushtetin me synojnë realizimin e interesave të strukturave të caktuara kriminale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore