Lajme

Kurti: Ushtrimet ushtarake të Serbisë në Sanxhak paraqesin kërcënim për sigurinë tonë


Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka theksuar se ushtrimet e sotme ushtarake serbe në Pjeshtër të Sanxhakut janë dëshmi se Serbia është akteri kryesor i përpjekjeve destabilizuese në Ballkan.

Këto komente kreu i qeverisë i bëri përgjatë ceremonisë së nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Kievë-Dollc, derisa sa shtoi se ushtrimi ushtarak serb i quajtur “Vihor 2024”, paraqet një kërcënim, si për sigurinë ashtu edhe për ndotjen e madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pjeshtër të Sangjakut është duke u zhvilluar dita mbase kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur ‘Vihor 2024’ ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarak kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi”, ka thënë Kurti.

“Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e behet në Peshtër të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, ka shtuar ai.

I pari i ekzekutivit kosovar ka folur edhe mbi referendumin, i cili pritet të mbahet në komunat veriore këtë të dielë të 21 prillit.

Lidhur me këtë çështje, ai tha se në zyrat publike hyhet vetëm me zgjedhje, por assesi në bashkëpunim me banda kriminale kriminale që ushtruan dhunë ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës si dhe gazetarëve.

“Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda kriminale e fashiste që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe policinë. Me zgjedhje hyhet në zyre. Nuk hyhet në zyre me bomba, granata dhe me armë të tjera që janë sulmuar personeli i sigurisë dhe gazetarët”, ka thënë Kurti.

“Për çështjen e zgjedhjeve të cilat do të mbahen në katër komunat veriore të vendit, më 21 prill, pra të dielën e kësaj jave prin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës është në shërbim të tyre. Nga ana jonë është vullneti që të mbahet ky votim dhe në komunat të cilat 50+1 përqind e qytetarëve do të votojnë për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve të komunave ne do të jemi garancion që kjo do të zbatohet në plotni dhe me shpejtësi. Dhe më pas le t’i kemi zgjedhjet ku do t’i ndërrojmë këta kryetarë të komunave”, përfundoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore