Kosova

Kurti tri kushte, Borrell zbatim të marrëveshjes, Vuçiç-i Asociacionin – Çka ndodhi në Bruksel


Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

Albin Kurti propozoi tri kushte [nënshkrim i marrëveshjes, anulim i letrës së Ana Brnabiç-it dhe dorëzim i Milan Radojiçiç-it], Josep Borrell propozoi zbatim në paralel të Marrëveshjes, Aleksandër Vuçiç kërkoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa takim trelateral siç ishte paralajmëruar, dhe me një dakordim – vazhdim i dialogut javën e ardhshme në nivel kryenegociatorëve.

Këto ishin rezultatet e takimeve të ndara në kryeqendrën evropiane, Bruksel, që kryediplomati i Unionit, Josep Borrell, i cili shoqërohej nga i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i zhvilloi me Kurtin dhe me Vuçiç-in.

Fillimisht ndërmjetësit evropianë takuan kryeministrin Kurti, dhe më pas presidentin serb Vuçiç. Pas këtyre pritej një takimi trelateral, por jo nuk ndodhi. Sërish u zhvilluan takime bilaterale.

Ndonëse ishte paralajmëruar, takimi trelateral Kurti-Vuçiç-BE nuk ndodhi.

Kush çka tha?

I pari që foli pas sagës së takimeve të mërkurën në Bruksel ishte kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Fillimisht Vuçiç pretendoi se Kurti “nuk ka guxuar” që ta takojë atë në Bruksel, e që më vonë u kuptua se kryeministri kosovar ka paraqitur kushte për ta bërë këtë.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç.

Kreu serb theksoi se është i gatshëm për “kompromis”, por fillimisht kërkoi formimin e Asociacionit.

Sa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, ai i vlerësoi korrekte.

Pas Vuçiç-it, i dyti që foli ishte Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai në një konferencë për media deklaroi se Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për takim me Vuçiç-in, i ndërmjetësuar nga ai dhe Lajçak-u, derisa bëri të ditur se kreu i ekzekutivit kosovar ka paraqitur tri kushte.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot”, tha Borrel, derisa tregoi edhe tri kushtet e Kurtit.

“E para, formalizmi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radojiçiç-it dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tregoi Borrell kushtet e Kurtit.

Për mospërmbushjen e asaj për çka vetë janë zotuar, Borrell, ka thënë se të dyja palët janë përgjegjëse.

“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit… Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia”, potencoi.

Sa i përket diskutimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiç, kryediplomatit evropian nuk i ka rezultuar asgjë jashtë pritshmërive: “të vështira si gjithmonë”.

Ndërsa, Kurti, i cili para mediave doli i fundit, duke folur për shkaqet se pse ka refuzuar takimin me Vuçiç-in, ka thënë se për një gjë të tillë ka kërkuar garancione, derisa ka përmendur tri kushtet që i ka prezantuar para përfaqësuesve evropianë.

“Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive të cilët i kam theksuar…”, tha Kurti.

“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike vetëm nënshkrimi i marrëveshjes bazike sjell sigurinë ligjore, juridike në njërën anë dhe anulon shkeljet e mëhershme. Garancia e dytë është tërheqja e letrës së ish-kryeministres Brnabiç, sepse në atë letër ajo thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial…”.

“Garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radojiçiç dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës”, shtoi.

Ai potencoi se nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë policor në sulmin terrorist Afrim Bunjaku, mirëpo, ka konsideruar se “Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radojiçiç-in”.

“Kjo është arsyeja pse sot kishim takime bilaterale”.

E vetmja gjë që në këto takime në Bruksel u dakordua ishte takimi që do të të mbahet javën e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë në nivel kryengociatorësh.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Kurti.

Fillimi i korrikut, tregoi Kurti, mund të jetë koha kur Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç mund të takohen me ndërmjetësimin e Lajçak-ut.

“Do të ketë diskutim të kryenegociatorëve në fillim të korrikut, mirëpo nuk do të mund të kemi praktikisht zbatim të marrëveshjes, për çka ne jemi shumë të interesuar, pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin e për të cilat ne besojmë se kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave, nënshkrimit të marrëveshjes bazike, tërheqjes së letrës së [Ana] Brrnabiç-it dhe dorëzimit të Milan Radojiçiç-it”, tha Kurti.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore