Lajme

Kurti takon ambasadorin australian, bisedojnë edhe për dialogun Kosovë-Serbi


Albin Kurti dhe Richard Rodgers

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri joresident të Australisë për Kosovë, Richard Rodgers, me të cilin kanë biseduar ndër të tjera edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Diskutuan edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me theks te Marrëveshja Bazike e dakorduar me 27 shkurt dhe Aneksi i saj me 18 mars. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti tha se ajo duhet të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime”.

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit “në fillim të takimit, kryeministri shprehu falënderimin e tij, të shtetit dhe popullit të Kosovës për miqësinë, ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Australisë”.

“Ai tha se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e Australisë për pranimin e 4000 refugjatëve në vitin 1999 dhe për përkrahjen e pandërprerë në fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Australia ishte shteti i 8-të që e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm një ditë pas shpalljes së saj”, thuhet aty.

Kurti me ambasadorin australian kanë biseduar edhe për raportet dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, “teksa kryeministri e njoftoi për progresin në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe demokratik në dy vitet e fundit”.

“Ambasadori Rodgers u shpreh se dy vendet ndajnë dëshirën e përbashkët për sundim të ligjit dhe dashurinë për demokraci dhe se pret qe puna e tij të jetë më lehtë për shkak të vlerave të njëjta që ndajmë”.

Ndër të tjerash, Kurti dhe ambasadori Rodgers bëhet me dije se kanë biseduar edhe për rreziqet që dezinformimi paraqet për shoqëritë dhe demokracinë, si dhe për domosdoshmërinë e trajtimit të tij.

Ndërsa, Kryeministri Kurti e ka uruar ambasadorin Rodgers për përgjegjësinë e re, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e saj dhe “duke i ofruar bashkëpunim të afër të tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej “marrëdhëniet bilaterale në mes dy vendeve”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon dhe Evropë”.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të shteteve demokratike dhe paqedashëse për t’i kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të forcave keqdashëse jodemokratike”, thuhet në komunikatë.

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore