Lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë


Albin Kurti dhe Pavel Bilek

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës këtë të premte ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.

Siç njofton zyra e kryeministrit “në një takim të përzemërt, kryeministri e falënderoi ambasadorin Bilek për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe angazhimin për avancimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke”.

“Falënderim i shprehu edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për Republikën e Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare”.

Aty thuhet se kreu i ekzekutivit i ka kujtuar se bashkëpunimi i mirë në mes të Kosovës dhe Republikës Ceke “është shënuar vitin e kaluar me dorëzimin në kryeqytetin e Republikës Çeke, në Pragë, të Aplikacionit për anëtarësim e Kosovës në Bashkimin Evropian”.

“Ngjarje historike për Kosovën dhe qytetarët, dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian si aspiratë dhe fat i Republikës së Kosovës”.

“Presidenca Çeke në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, ishte shumë e suksesshme për Republikën tonë. Ajo ka ndihmuar që të përparojmë drejt integrimit në Bashkimin Evropian me rastin e pranimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe ka kontribuar aktivisht në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Nga ana tjetër, po ashtu ambasadori Bilek ka veçuar si moment “për librat e historisë dorëzimin në Pragë të aplikacionit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare”.

“Teksa ndanë dhurata për njëri-tjetrin, Kryeministri Kurti i uroi fat e i dëshiroi suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimet e tij të radhës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore