Kosova

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës


Albin Kurti dhe Carin Lobbezoo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës këtë të premte ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Siç njofton zyra e kryeministrit “në një takim të përzemërt, kryeministri e falënderoi ambasadoren Lobbezoo që gjatë mandatit të saj transmetoi miqësinë dhe mbështetjen e Holandës”.

“I shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen e Holandës dhe ambasadores Lobbezoo ndaj Kosovës gjatë procesit tonë të aplikimit për në Këshillin e Evropës”.

Tutje, thuhet se bashkëpunimi mes këtyre dy vendeve ka kontribuar në ruajtjen dhe avancimin e raporteve.

Kryeministri Kurti, ka theksuar se marrëdhëniet janë forcuar edhe më shumë pas liberalizimit të vizave.

Në njoftim, bëhet e ditur se u diskutua edhe për përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë përmes programeve dhe nismave të ndryshme.

Më tej, Kurti theksoi se “fokusi i kësaj ambasade në përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në qeverisjen dhe sistemin e drejtësisë, është i një rëndësie të madhe për vendin tonë”.

Mbretëria e Holandës është njëra nga vendet e para që e ka njohur pavarësisë e Kosovës, vetëm dy javë pas shpalljes së saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore