Kosova

Kurti për Kadarenë: U rrita në Kosovë kur ishim nën diktaturë të Beogradit, zërin e tij e dëgjoja si frymëzim


“I rritur në Kosovë nën diktaturën dhe represionin e Beogradit, dhe më pas si i burgosur politik, dëgjova zërin e Ismail Kadaresë si empati dhe si frymëzim”.

Kështu ka shkruar në platformën X, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

“Në errësirën e diktaturës, Ismail Kadare ishte vezullimi i krijimtarisë, i njerëzimit dhe i gjeniut individual. Ai u detyrua, si shumica e bashkatdhetarëve të tij, të jetonte brenda kufizimeve më të ashpra politike dhe artistike; e megjithatë ai gjeti mënyra për të ndriçuar, për të pyetur dhe për të qeshur”, shtoi.

Kurti ka theksuar se romanet e Kadaresë ishin të bazuara në kulturën dhe historinë shqiptare, por temat dhe zëri i tij sidomos në poezinë e tij ishin universale.

“Çmimi i tij Ndërkombëtar i Librit për Njeriun (i pari i dhënë ndonjëherë) dhe nominimet e përsëritura për Çmimin Nobel për Letërsinë pasqyrojnë staturën e tij globale: ai foli për njerëzit kudo, duke luftuar për të mbijetuar dhe për të gjetur një dritë të pastërtisë mes kompromiseve dhe kufizimeve të jetës”.

Kadare vdiq në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare. Librat e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

E falë tij, letërsia shqipe arriti majat. Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Ndër vite, u përmend si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore