Lajme

Kurti pas takimit me senatorët: Duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me dy senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, përmes një konference për media tha se me senatorët ka biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Biseduam për fqinjin verior Serbinë dhe rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja me theks te marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Ato përbejnë avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime”, tha Kurti.

“I falënderoj për vizitën dhe interesimin për fuqizimin e lidhjeve mes shteteve tona”, shtoi Kurti.

Ndërsa senatori amerikan, Chris Murphy, theksoi se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të kryhet sivjet.

“E dimë që këto janë kanë të bëjnë me disa zgjidhje të vështira. Mendojmë që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për t’i bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje”, tha Murphy.

Dy senatorët amerikanë paraprakisht u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit, Osmani potencoi se sa i përket zbatimit të detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe në Ohër, Kosova nuk do t’i ik detyrimeve të saj.

“Kosova do të zbatoj secilën detyrim për të cilin është pajtuar si pjesë e dialogut, përderisa e dimë që të gjithë që marrëveshja thotë se të gjitha nenet e saj janë njësoj të rëndësishme”, shtoi ajo.

“Në kuadër të diskutimeve mbi dialogun i njoftova senatorët për listën e gjatë të shkeljeve nga ana e Serbisë, kjo për mua nuk është një temë e thjeshtë administrative se kush e ka listën më të gjatë të obligimeve të pazbatuara por ka të bëjë me paqe dhe stabilitetit, e mbi të gjitha ka të bëjë me sigurinë nga tendencat destabilizues”.

Osmani për marrëveshjen e Ohrit: Kosova nuk do t’i ikë detyrimeve të saj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore