Lajme

Kurti në Kongresin e Socialistëve Evropianë: E pranoj pjesën e përgjegjësisë për paqe të qëndrueshme në Ballkan


Albin Kurti

“Ju siguroj që e pranoj pjesën e përgjegjësisë që më takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kongresin e Socialistëve Evropianë, që u mbajt këtë të premte në Malaga, duke folur për ngjarjet sfiduese në botë aktualisht, dhe për këtë ai dha si shembull sfidën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku u zotua se do ta bëjë pjesën e tij për të siguruar paqe.

“Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje”, tha Kurti.

Përkundër kësaj, Kurti shtoi se vazhdon që të jetë optimist se “ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve”.

“Shembull, Kosova e përballur me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së: Ju siguroj që e pranoj pjesën e përgjegjësisë që më takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Në këtë kongres të social-demokratëve ai shfrytëzoi mundësinë që të ndajë lavde për grupin parlamentar në Parlamentin Evropian S&D – që vjen nga radhët e kësaj organizate të partive të majta – për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor”.

“Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit”, shtoi.

Po ashtu, Kurti në fjalimin e tij ka folur edhe për ngjarjet sfiduese në botë, si agresion rus në Ukrainë, zhvendosjen e armenëve nga Nagorno-Karabakh dhe konfliktin në Izrael dhe në Rripin e Gazës, dhe ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit.

“Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit”.

“Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”.

Ky sulm terrorist, pohoi kryeministri, “dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stablizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit”.

Tutje, ai ka folur edhe për “sukseset” që qeveria e tij i ka pasur përgjatë më shumë se 2 vite e gjysmë që kur ai është në krye të ekzekutivit kosovar.

“Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve”.

Këto veprime, pretendon Kurti, “po adresojnë ato që dy vjet e gjysmë para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”.

“Ju e dini tashmë se të gjitha indekset ndërkombëtare për cilësinë e demokracisë tonë të re, për nivelin e lirive civile dhe të drejtave politike, lirinë e shtypit, progresin në sundimin e ligjit, kanë konfirmuar trendin pozitiv të rrugëtimit tonë, siç u konfirmua sërish këtë javë për të dytin vit radhazi në raportin vjetor të Komisionit Evropian”.

“Sipas këtij raporti pra, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallën e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues. Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë”.

“Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”, numëroi ai të arriturat e qeverisjes së tij.

Sipas Kurtit, ekonomia ka shënuar “rritje”, dhe se “ka pasur zvogëlim të sektorit joformal dhe përparime në kapituj të tregut të brendshëm, me Kosovën që sipas vlerësuesve të pavarur ka regjistruar vlerësimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor”.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar të premten, se është bërë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë – Partisë së Socialistëve Evropianë (PES).

PES, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian me grupin ‘’Socialistët & Demokratët’’ (S&D).

“Anëtarësimi i Lëvizjes në këtë organizatë është një tjetër përparim në marrëdhëniet ndërpartiake e ndërkombëtare, që do ta ndihmojë subjektin tonë në realizimin e synimeve dhe të programit progresist. Ky anëtarësim erdhi si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore