Lajme

Kurti: Kosova solidarizohet me Çekinë në këto kohë të vështira


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten në mbrëmje, deklaroi se Kosova solidarizohet me qytetarët e Çekisë, ndërsa shtoi se është me familjet e viktimave që u vranë nga një sulm i armatosur në qendër të kryeqytetit çek pasditen e 21 dhjetorit.

“Ngushëllime të përzemërta Republikës Çeke nga Republika e Kosovës. Pas të shtënave tragjike në Pragë, mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë komunitetin çek. Kosova solidarizohet në këto kohë të vështira”, ka shkruar Kurti në formë ngushëllimi për jetët e humbura.

Për sulmin masiv në Pragë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i legjislativit kosovar, Glauk Konjufca, duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe duke shprehur solidaritetin e popullit të Kosovës për ngjarjen tragjike të ndodhur në kryeqendrën çeke.

Mbi 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur nga një sulm me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit në Pragë, njoftuan shërbimet e emergjencës në kryeqytetin çek. Sulmuesi 24-vjeçar ishte student, ndërsa trupi i pajetë është gjetur në ambientet e universitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore