Kosova

Kurti kërkon sërish nga BE-ja largimin e masave: De-eskalimi ka ndodhur në masë të konsiderueshme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Tv Koha”, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Prishtinës – për shkak të situatës së krijuar në Veri – duhet që të hiqen sa më parë.

“Nuk e di se kur do të tërhiqen. Besoj që duhet të tërhiqen sa më parë, për shkak se Kosova është konstruktive, qeveria e Kosovës ka qenë kreative me ide, dhe të përkushtuar në dialog, i cili ka rezultuar me Marrëveshjen Bazike…”, tha ai, duke shtuar se Beogradi po e shkel këtë marrëveshje.

Sa i përket de-eskalimit të situatës në Veri, Kurti theksoi se “duhet ta pranojmë që në masë të konsiderueshme tashmë ka ndodhur”.

“Ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në ndërtesat në tri komunat Veri dhe kemi shprehur gatishmëri që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Prandaj unë besoj që nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshmet, prej atyre financiare deri tek vizitat e nivelit më të larë”, deklaroi Kurti, duke shtuar se ‘ato do të duhej të tejkaloheshin”.

Si hap të duhur e konsideroi letrën e më shumë se 50 ligjvënësve perëndimorë drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku kërkohet që të ketë një qasje më ashpër ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kjo letra e mbi 50 parlamentareve të perëndimit demokratike – ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, BE-së, ku unë besoj që është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës e të ashpërsohet ndaj Serbisë agresore, e cila nuk distancohet nga as nga [Sllobodan] Millosheviç-i as nga [Vladimir] Putin-i”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetari nëse ka “lëshuar mjaftueshëm pe” ndaj kërkesave të BE-së, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se “kam qenë konstruktiv”, dhe se ka shprehu gatishmërinë për të pasur mirëkuptim për brengat e BE-së, por shtoi se “asnjëherë nuk e kemi bërë këtë në kurriz të vlerave evropiane në njërën anë, dhe ligjshmërisë së Kosovës në anën tjetër”.

Prandaj, pohoi ai, “kemi qenë parimor, jo kokëfortë, dhe BE-ja bën mirë që këtë ta pranojë, vlerësojë e mirëkuptojë sa më parë”.

Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media të enjten, ka rikonfirmuar se letra e disa ligjvënësve amerikano-evropianë për Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ku i kërkohet një qasje më e ashpër ndaj Serbisë, ka arritur tashmë në adresën e tij, dhe se i njëjti do t’i përgjigjet letrës së përbashkët nga kanalet e duhura të komunikimit.

Sipas Stanos, qasja e Unionit në këtë fazë është e balancuar, meqë sipas tij nëse të 27 shtetet anëtare të BE-së në koordinim edhe me komunitetin ndërkombëtar, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shohin se Serbia nuk po kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës në mënyrë të duhur do të vendosin masa ndëshkuese edhe ndaj Beogradit zyrtar.

“BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e Jashtme dhe qasja e BE-së ndaj partnerëve janë formuar unanimisht nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre. Gjëja e fundit që kemi bërë në dritën e përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës ishte vendosja e disa masave ndëshkuese kundrejt Qeverisë së Kosovës për shkak të mos-gatishmërisë së kësaj të fundit për të shtensionuar situatën. Nëse shtetet anëtare vendosin atëherë ne do të prezantojmë masat e nevojshme edhe kundrejt Serbisë”, tha ai në një konferencë për media.

Duke folur për masat ndëshkuese të vendosura Kosovës muaj më parë, Stano përsëriti se të njëjtat janë të kthyeshme dhe se një gjë e tillë varet nga mënyra se si Kosova do të veprojë për të de-eskaluar situatën dhe për t’u kthyer në një proces normal të normalizimit të marrëdhënieve.

BE-ja “minimizon” letrën e ligjvënësve evropianë: Qasja ndaj partnerëve formohet njëzëri – Janë 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore