Kosova

Kurti kërkon nga Serbia transferimin e të burgosurve kosovarë: Republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ministrja Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”, ka shkruar Kurti në Facebook, teksa ka shpërndarë letrën e Haxhiut drejtuar autoriteteve serbe.

Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, vazhdojnë të jenë në paraburgim në institucionet e Serbisë, të katërtit, ishin arrestuar në periudha të ndryshme, por që akuza ndaj tyre është e ngjashme, ata po dyshohen për “krime lufte”.

Mehmetaj, ishte arrestuar në vitin 2020 në Merdare, ndërsa tre të tjerë u arrestuan në vitin 2024.

Pas tij i arrestuar ishte Hasan Dakaj, me po të njëjtat akuza. Ai u ndalua në janarin e vitit 2024, ndërkaq Sadik Duraku ishte arrestuar në muajin prill, e krejt në fund u arrestua Tefik Mustafa.

Ndonëse nga Kosova kanë kërkuar ndihmë nga institucionet ndërkombëtare për lirimin e tyre, akoma s’është bërë asgjë në këtë drejtim, madje ka informacione të pamjaftueshme për situatën e tyre atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore