Kosova

Kurti i uron shërim të shpejtë kryeministrit sllovak: Dhuna s’ka vend në demokraci


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas plagosjes së Kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pas një takimi të Qeverisë në afërsi të Bratislavës, duke thënë se dhuna nuk ka vend në demokraci.

“Një lajm shumë shqetësues nga Sllovakia, ku raportohet se kryeministri Robert Fico është qëlluar. I urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë dhe mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Sllovakisë. Dhuna nuk ka vend në demokraci”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Reagim për këtë rast ka pasur edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, ndërsa i ka uruar Fico-s shërim të shpejtë, sulmin në fjalë e ka cilësuar si të “ndyrë”.

“Ne i dënojmë fuqishëm këto akte dhune që kërcënojnë vlerat evropiane”, ka shkruar Osmani në platformën sociale, X.

Për sulmin me armë ndaj kryeministrit të Sllovakisë ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo ka kërkuar që autorët të ndëshkohen.

“Zemrat tona dhe urimet më të mira shkojnë për kryeministrin sllovak Fico, i cili u qëllua dhe u dërgua në spital. Ne po mendojmë për të dhe të dashurit e tij”.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është plagosur në një incident me të shtëna pas një takimi të Qeverisë në afërsi të Bratislavës, raporton televizioni sllovak TA3.

Fico, sipas raportimeve, u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova.

Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj Robert Fico-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore