Kosova

Kurti: Ata që e mohojnë Srebrenicën – identifikohen me kriminelët


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

”Ne dënuam me forcë gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe ata që e mohojnë Srebrenicën, identifikohen me kriminelët”.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Sarajeva, një ditë pasi Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar një rezolutë që e njeh gjenocidin e Srebrenicës.

“Ne e dimë se ka më shumë se 1000 boshnjakë të cilët janë ende të listuar si të zhdukur. Gjithashtu, ne në Kosovë kemi 1632 qytetarë tanë të cilët ende janë të listuar si të zhdukur sepse nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me ta gjatë viteve 1990″, tha Kurti.

“Për të dënuar këtë gjenocid të egër i cili, siç thashë në fjalën time të djeshme në Kuvend, është krimi më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.

Kurti u ka bërë thirrje edhe parlamenteve tjera të rajonit që gjithashtu të miratojnë një Rezolutë mbi gjenocidin e Srebrenicës.

”Ne e dimë se Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar Rezolutën për Srebrenicën dhe ne besojmë se parlamentet e tjera në rajon duhet të bëjnë të njëjtën gjë”.

Sipas tij, “përveç dënimit të gjenocidit të regjimit serb në Srebrenica në 1995, ne gjithashtu dënuam çdo tendencë për të mohuar me qëllim, publikisht gjenocidin në Srebrenicë, me qëllim për të nënvlerësuar viktimat dhe për të mbuluar krimet e kryera”.

Ai ka thënë që ata që e mohojnë Srebrenicën, “identifikohen me kriminelët”.

“Më duhet të them se në atë mënyrë ata mbajnë gjallë ëndrrën e përsëritjes së gjenocidit!”, shtoi Kurti.

“Ai që mohon gjenocidin e ndodhur, lë derën hapur për një përsëritje të gjenocidit”.

Të mekurën, me 89 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta për dënimin e gjenocidit për Srebrenicën.

Megjithatë, Kurti në ekspozenë e tij si kryeministër i Kosovës, pati thënë se nën drejtimin e tij do të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime të kryera gjatë luftës, në vitin 1998 dhe 1999 ndaj popullatës civile shqiptare.

Njëjtë si Kosova, edhe Parlamenti i Malit të Zi më 17 qershor, miratoi një rezolutë që dënon gjenocidin e Srebrenicës dhe shkarkoi një ministër pro-serb i cili kohët e fundit mohoi masakrën.

Masakra e Srebenicës

Në korrik 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore