Kosova

Kulaçin: Borrelli e Lajçaku u thanë zyrtarisht lamtumirë Kurtit e Vuçiçit – Banjska është ende një gur i rëndë në qafën e Serbisë


Ilustrim

Nenad Kulaçin, gazetar dhe publicist serb, në një editorial të publikuar në rrjetin ndërkombëtar “Al Jazeera” rreth “kolapsit të negociatave” midis Kosovës dhe Serbisë, konsideroi se në takimet e fundit, zyrtarët evropianë – Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak – u thanë zyrtarisht lamtumirë liderëve të të dyja shteteve, ndërsa e cilësoi “një tjetër rast të humbur” vitin 2024.

“Ky vit është, sipas të gjitha gjasave, një tjetër vit i humbur kur bëhet fjalë për negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës –  takimet e fundit kanë qenë një mundësi që zyrtarët evropianë t’u thonë zyrtarisht lamtumirë Vuçiçit dhe Kurtit. Disa evropianë të tjerë do të mbërrijnë së shpejti në vend të tyre…”.

Pavarësisht përpjekjeve të shefit të diplomacisë evropiane dhe emisarit evropian për dialogun, kreu i ekzekutivit kosovar dhe presidenti serb nuk u ulën në tryezën e negociatave, më 26 qershor. Kulaçin e cilësoi “tepër të vështirë” se do të ndodhë diçka para fillimit të vitit të ri, veçanërisht nëse do të ndryshojë administrata amerikane pas zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

“Në Serbi shpresojnë në fitoren e Donald Trumpit, i cili mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën e procesit të negociatave. Megjithatë, qytetarët e Serbisë dhe Kosovës mbeten me shpresë se në një moment do të arrihet një zgjidhje e kënaqshme reciproke për çështjen e Kosovës”, theksoi ndër të tjera ai.

Ai nënvizoi se sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ende është “një gur i rëndë” në qafën e Serbisë, derisa përgjegjësi për agresionin e vitit të kaluar, Millan Radoiçiç, të vihet para organeve të drejtësisë.

“Banjska, megjithatë, është një gur i rëndë në qafën e Vuçiçit. Në këtë konflikt të armatosur u shemb e gjithë politika serbe ndaj Kosovës. Edhe sikur bashkësia ndërkombëtare të kishte një lloj mirëkuptimi për problemet e serbëve në Kosovë, kjo sigurisht që nuk është kështu tani dhe nuk do të jetë derisa Radoiçiç të dalë para drejtësisë”, potencoi gazetari dhe publicisti serb.

Një përpjekje e BE-së për të ringjallur dialogun Prishtinë-Beograd dështoi sërish për shkak të mosgatishmërisë së liderëve për t’u ulur në tryezën e negociatave. Kryeministri Kurti paraqiti tre kushte që duhen plotësuar nga Serbia si garanci për angazhimin e mëtejmë në dialog, përfshirë dorëzimin e Radoiçiçit, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, para drejtësisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore