Kosova

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë


Urska Klakoçar Zupançiç

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar-Zupançiç, do të qëndrojë të hënën në Kosovë për të diskutuar për çështje të ndryshme, veçanërisht rreth forcimit të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë. Gjithashtu, bashkëpunimi rajonal pritet të jetë në agjendë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të takojë homologen sllovene në orën 11:00 në Prishtinë. Pas takimit, dy kryekuvendarët do të mbajnë konferencë për media në orën 12:00. E përveç Konjufcës, ajo do të takojë edhe presidenten kosovare, Vjosa Osmani-Sadriu, në orën 12:30.

Sllovenia prej kohësh synon të mbështesë stabilitetin dhe ekonominë rajonale, por edhe forcimin e dialogut për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, deri në anëtarësimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian (BE). Sllovenia poashtu bën pjesë në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Qeveria e Sllovenisë gjithashtu luan një rol aktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së. Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, synon të marrë rolin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore