Lajme

Kryetari i Gjakovës: Rastet e vdekjeve s’po raportohen saktë


Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka vënë në dyshim raportimet e vdekjeve nga COVID-19, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH).

Ai ka thënë se Kryetarët e Komunave e dinin se “rastet e vdekjeve nuk raportoheshin saktë”.

“Numri i vërtetë nuk është raportuar, duke i shtyrë raportimet për disa ditë, ndërsa tani kur rastet janë grumbulluar, dalin shifrat në shesh”, ka shkruar Gjini në profilin e tij në Facebook.

Ai ka shkruar se drejtuesit e komunave janë kursyer vetëm që të mos polarizohet me tragjedinë.

“Shumica prej nesh jemi kursyer nga komentet, vetem për të mos e politizuar tragjedinë që na ka kapluar, por qeveria po bën politikë. Shumë keq!”

Ndërsa kur numri i viktimave nga pandemia arriti në 36 brenda 24 orëve të fundit, Gjini ka shkruar se “E sonte hipokrizia shpërtheu!!”, kur kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë bënë thirrje që qytetarët të vaksinohen e ndërsa vaksinat po mungojnë “thuajse qytetarët po refuzojne të vaksinohen!?”

Gjini ka shkruar se në Komunën e Gjakovës nga 1700 doza të vaksinimit në ditë deri para një jave, “qendra e vaksinimit në Gjakovë tani i jep më pak se 500” vaksina anti COVID-19.

Ai ka treguar se edhe stafi mjekësor ka shprehur gatishmërinë që të punojnë edhe të dielave, por se “nuk u lejuan, me pretekstin se nuk lëshohet SISH”.

Kryetarët e Komunave e dinin se vaksina në dispozicion ka shumë pak thotë Gjini, por “nuk flisnin sepse nuk donim ta rëndonim gjendjen, se vaksina ka pak”.

Ndërsa qytetarët nuk po mund të bëjnë termine për të marrë vaksina, për këtë ai ka thënë se “kjo është e vërteta”.

“Qytetarët nuk po mund të sigurojnë termine për vaksinim, kjo është e vërteta. T’i fajësosh qytetarët kështu?? Kulmi i hipokrizisë”, përfundoi Gjini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore