Lajme

Kryeprokurori i ri i Shtetit – A mundet Presidentja ta kthejë procesin prapa?


Nga ulësja e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pritet të ulet në atë të Kryeprokurorit të Shtetit.

Por, për këtë do të vendosë përfundimisht Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

I takon asaj ta dekretojë Isufajn, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka votuar unanimisht të mërkurën e 5 prillit.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Organizatat joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol kanë vërejtje sa i përket procesit të zgjedhjes së Isufajt.

Madje, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i kanë bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Por, si\a mundet presidentja të mos e dekretojë Isufajn?

Selim Selimi, ish-këshilltar i ish-presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë për Albanian Post se pas votimit në KPK, zgjedhja e Kryeprokurorit ka përfundim real të procesit, pasi thotë se “me votë unanime është zgjedhur Blerim Isufaj”.

Tani sipas tij, formalisht presidentja duhet ta dekretojë atë që e kanë zgjedhur të barabartët.

“Në këto raste aprovimi i presidentes është formal, pasi që edhe në rast të refuzimit, dërgimi i të njëjtit emër nga KPK për herë të dytë është mandator”, tha Selimi.

Selim Selimi

Selimi që më profesion është jurist, tregon që për këtë rast ka precedent pasi që edhe ish-presidentja Jahjaga nuk e kishte dekretuar në vitin 2013 njëherë gjyqtarin Enver Shabanaj, “por pas kthimit të të njëjtit emër edhe njëherë nga KGjK-ja atëherë ligji e parasheh se propozimi duhet të jetë përfundimtar”.

“Edhe në këtë rast për mos të shkaktuar tej-zgjatje të procedures, por edhe për të ruajtur balancën e kontrollin, presidentja nuk duhet të ndikohet nga deklaratat politike të partive, por duhet të aprovojë vendimin e procesit të rregullt dhe transparent të KPK-së”, ka shtuar ai.

Ndërsa ish-ushtruesi i detyrës i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, mendon se nëse KPK-ja i ka kryer të gjitha verifikimet për Isufajn dhe e ka propozuar, presidentja duhet ta dekretojë.

Por sipas tij, për ta refuzuar, “duhet të ketë shumë arsyeje për të, shembull për integritetin e kandidatit”.

“Nëse është respektuar procedura si duhet nga KPK-ja, vërejtjet e organizatave joqeveritare nuk munden ta ndryshojnë procesin”, potencoi Hoxha për AP.

Ndërkaq presidentja Osmani, ka kohë 60 ditë për ta dekretuar Isufajn pas pranimit të propozimit.

Avokati Mentor Beqiri, thekson se nëse brenda këtij afati presidentja nuk e emëron Kryeprokurorin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar.

“Pas kësaj presidentja emëron atë sipas propozimit të Këshillit”, pohoi Beqiri.

Mentor Beqiri

Ndryshe pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati këtë muaj.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

BE-ja e zhgënjyer me propozimin e KPK-së për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, është shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas Szunyog, Këshilli Prokurorial i Shtetit nuk e ka përfillur asnjë nga thirrjet e BE-së, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka shkruar Szunyog në rrjetin e tij social në Twitter.

Tomas Szunyog

“Propozimi i KPK-së për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit, i papranueshëm”

Organizatat joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

“Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht”, shkruhet në reagimin e organizatave jo-qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore