Lajme

Kryeministri libanez dënon sulmet izraelite që kanë lënë të vrarë dy gazetarë


Katër persona, përfshirë dy gazetarë, janë vrarë në sulmet izraelite në Liban teksa shkëmbimet e zjarrit janë intensifikuar përgjatë kufirit.

Kryeministri i Libanit dënoi sulmin në fshatin Tayr Harfa që vrau një reporter dhe kameraman të televizionit Al Mayadeen së bashku me një burrë tjetër.

Po ashtu thuhet se një grua e moshuar është vrarë në Kfarkela, në lindje.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar. Më herët, ka njoftuar se avionët kishin goditur “celula terroriste” në zonën kufitare.

Dhe se ka goditur objektiva që i përkisnin grupit libanez Hezbollah, i cili ka gjuajtur në mënyrë të përsëritur raketa dhe predha përtej kufirit që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës gjashtë javë më parë.

Al Mayadeen, një kanal televiziv arab me bazë në Bejrut, tha se reporteri Farah Omar dhe kameramani Rabih al-Maamari ishin “shënjestruar qëllimisht” teksa po raportonin nga Tayr Harfa, një fshat rreth 2 kilometra nga kufiri.

“Një avion luftarak izraelit qëlloi dy raketa në vendndodhjen e Farah dhe Rabih”, thuhet në njoftim

“Farah dhe Rabih sapo kishin përfunduar një transmetim të drejtpërdrejtë në orën 10:00, duke dhënë përditësime mbi bombardimet më të fundit izraelite në Libanin e Jugut”.

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve (NNA) tha se një tjetër civil, të cilin e quajti Husein Aqeel, u vra në atë që duket të jetë sulmi i tretë ndaj gazetarëve që punonin në Libanin jugor që nga fillimi i luftës.

Drejtori i Al-Mayadeen Ghassan bin Jiddo tha se Aqeel ishte një kontribues.

“Ky sulm dëshmon edhe një herë se nuk ka kufij për krimet izraelite dhe se qëllimi i vetëm është të heshtë mediat që ekspozojnë krimet dhe sulmet e tij”, tha kryeministri libanez Nabjib Mikati.

Një person i katërt, të cilin NNA e identifikoi si 80-vjeçarja Laiqa Sarhan, u vra dhe disa anëtarë të familjes u plagosën në një sulm në një fshat më në lindje përgjatë kufirit.

Shtëpia e tyre në Kfarkela është goditur dhe dëmtuar rëndë.

Zjarrfikësit nga njësitë lokale të mbrojtjes civile shkuan në vendngjarje për të shuar flakët, ndërsa ambulancat i dërguan në spital familjarët e plagosur, përfshirë fëmijë.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se po shqyrtonin raportet, por më parë kanë këmbëngulur se nuk synojnë qëllimisht gazetarët.

Më herët, lëshuan një deklaratë duke thënë se avioni kishte identifikuar dhe goditur tre celula të armatosura terroriste në zonën e kufirit.

“Përveç kësaj, avionët luftarakë të IDF-së goditën një numër objektivash terroriste të Hezbollahut, duke përfshirë infrastrukturën ushtarake dhe strukturat e përdorura për drejtimin e aktiviteteve terroriste”.

Hezbollahu është një grup islamik shiit i mbështetur nga Irani që zotëron fuqi të konsiderueshme ushtarake dhe politike në Liban.

Konsiderohet një organizatë terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe, SHBA-të dhe të tjerët.

Shkëmbimet vdekjeprurëse përgjatë kufirit u përshkallëzuan pas 7 tetorit, kur persona të armatosur me bazë në Gaza nga Hamasi – një grup tjetër i mbështetur nga Irani që gjithashtu klasifikohet si një grup terrorist nga Izraeli dhe fuqitë perëndimore – sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 të tjerët peng.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore