Lajme

Kryeministri i parë me ngjyrë në Britani, kush është Rishi Sunak


Një ngjarje historike: hera e parë në Mbretërinë e Bashkuar e një kryeministri me origjinë indiane, bir emigrantësh dhe i përkushtuar ndaj fesë hindu.

Një personazh i përbërë nga paradokse dhe kontradikta, kryeministri i ri, aq sa një nga pseudonimet është «Sunak-u i rrëshqitshëm» (Slippery Sunak).

Kritikët e tij pretendojnë se ai e tradhtoi Johnson-in, kur ai dha dorëheqjen si ministër i financave në fillim të korrikut.

Kjo, duke çuar në rënien e kabinetit menjëherë më pas, dhe shumë ligjvënës ende e fajësojnë atë për rënien e Johnson-it.

Ai është indiani i parë që mbajti postin e Kancelarit të Thesarit, ose Ministrit të Thesarit, pozicionin e dytë më të rëndësishëm në qeverinë britanike.

42-vjeçari është i biri i emigrantëve indianë të ardhur në Britaninë e Madhe nga Afrika Lindore, por me origjinë solide borgjeze.

Pasi George Floyd u vra nga policia në Minneapolis dhe lëvizja “Black Lives Matter” përfshiu pjesën më të madhe të botës në vitin 2020, Sunak foli për racizmin me të cilin është përballur në jetën publike dhe për betejat që kapërceu familja e tij si emigrantë në Britani.

Ai gjithashtu ka mbrojtur publikisht besimin e tij hindu, duke u betuar në Bhagavad Gita kur mori detyrën.

Djali i një mjeku dhe një farmacisteje, prindërit e tij u përballën me sakrifica të mëdha për ta dërguar në Kolegjin Winchester, një nga shkollat më prestigjioze në Angli dhe që ka rivalizuar atë të Eton-it për shekuj, ku shkollimi kushton 50 mijë euro në vit.

Prej aty zbarkoi në Oxford, ku u diplomua me sukses në Filozofi, Politikë dhe Ekonomi, kursi më prestigjioz që ka nxjerrë legjione kryeministrash.

Më pas ai vazhdoi studimet e larta në Universitetin Stanford, falë një burse Fulbright.

Aty takoi gruan e tij, Akshata, vajzën e Narayana Murthy, themeluesit të kompanisë indiane të teknologjisë Infosys, një manjat, pasuria personale e të cilit vlerësohet në dy miliardë e gjysmë euro dhe kompania e të cilit kap vlerën e 40 miliardë.

Ata u martuan në vitin 2009 në Bangalore me një dasmë që zgjati dy ditë ku morën pjesë 1 mijë të ftuar.

Gjatë javës çifti Sunak dhe dy fëmijët e tyre jetojnë në Londër, në një shtëpi me pesë dhoma gjumi në Kensington, një nga lagjet më luksoze në kryeqytet, me vlerë rreth 8 milionë pound.

Ata kalojnë fundjavën në një vilë gjeorgjiane në veri të Anglisë me një liqen privat, pishinë dhe fushë tenisi, gjë që i ka dhënë Sunak pseudonimin “Maharaja e Yorkshire”.

Kësaj i shtohen një apartament për mysafirë në Londrën qendrore dhe një vilë buzë detit në Santa Monica, Kaliforni, me vlerë mbi 6 milionë dollarë.

Pasuria personale e gruas së Sunak, e cila drejton shtëpinë e saj të modës, vlerësohet në mbi 200 milionë euro. Por vetë Sunak, edhe para se të martohej me të, ishte bërë milioner pas një karriere ekselente në financë.

Kjo, duke përfshirë bankën e investimeve Goldman Sachs, përpara se të hapte fondin e tij personal të investimeve.

Pasuria e çiftit vlerësohet në afro 800 milionë paund, që është dyfishi i mbretit Charles dhe gruas së tij Camilla.

Shumë i pasur për të qenë kryeministër, mund të thotë ndokush.

Pikërisht për këtë mënyrë jetese, Sunak perceptohet si një eksponent i elitës, ai që jeton në një planet tjetër ndryshe nga njerëzit normalë, nevojat e të cilëve ai mezi i kupton. Njëherë u shfaq në një kantier me një kostum 4 mijë euro dhe këpucë Prada, ndërkohë që edhe dikur tjetër ka bërë fotografi me një filxhan kafeje 200 euro.

Një videoklip nga një dokumentar i BBC-së i vitit 2007, në të cilin Sunak sugjeron se ai nuk ka asnjë “mik të klasës punëtore” po qarkullon në internet.

Me pak fjalë, Sunak është i tillë që mund të ndjehet më rehat me bankierët sesa me punëtorin që lufton të arrijë në fund të muajit.

Një njollë në historikun e tij, është edhe lidhja e tij me skandalin “Partygate” që rrëzoi qeverinë e Johnson.

Ashtu si shefi i tij, Sunak gjithashtu u gjobit nga policia gjatë kohës që ishte në detyrë për pjesëmarrjen në ahengje në Downing Street nr 10, ndërsa britanikët ishin nën kufizime të rrepta të lockdown-it të Coronavirus-it të vendosura nga Qeveria.

Gjithashtu është zbuluar se ai ka “Green Card”, leje qëndrimin e përhershme në Shtetet e Bashkuara, një lloj siguracioni në rast se ambiciet e tij në Britaninë e Madhe nuk do të mund të realizoheshin.

Dhe akoma më shumë kritika u ngritën kur u zbulua se gruaja e tij po i shmangej taksave në Britani falë një sistemi ligjor që e lejonte atë të mos paguante për më shumë se 10 milionë dividentë vjetorë.

Politikisht, Sunak është edhe më i vështirë për t’u kategorizuar. Ngritja e tij ishte meteorike, duke pasur parasysh se tre vjet më parë ai ishte ende një nënsekretar i panjohur. Më pas emërimi i tij si Kancelar i Thesarit (Ministër i Thesarit) në fillim të vitit 2020 e hodhi atë në majat e politikës britanike.

Ishte ai që e trajtoi pandeminë me një program masiv ndërhyrjeje publike që e ka çuar barrën tatimore në nivelet më të larta në 70 vjet. Sunak e konsideron veten avokat i taksave minimale: por ai është i vetëdijshëm se në situatën aktuale nuk është e mundur të ulen taksat.

Pikërisht për këtë ai u përplas me Liz Truss në verë, të cilën e kishte paralajmëruar për efektet katastrofike të një uljeje taksash të nxituar, gjë e cila ndodhi në fakt.

Emërimi i Sunak do të jetë një sinjal qetësues për tregjet financiare, të cilat e kishin vënë Londrën në pikëpyetje pas manovrës së pamatur fiskale të Truss.

Fundosja e politikës ekonomike të Truss i dha të drejtë. Admiruesit e tij e quajnë atë “një pragmatist i parimeve”, që do të thotë të jetë i udhëhequr nga disa ide, por i gatshëm për t’i përshtatur ato me realitetin.

Në vitin 2016 ai anoi në favor të Brexit: por më pas nuk foli më kurrë për të, duke mbajtur një profil shumë të ulët për çështjen e marrëdhënieve me Evropën.

Tani detyra e tij do të jetë të nxjerrë Britaninë e Madhe nga gjendja në të cilën ndodhet dhe të rifitojë besimin e tregjeve. Po a do të jenë të mjaftueshme kompetenca dhe besueshmëria e tregjeve për këtë?

Partitë e opozitës, përfshirë Laburistët, po bëjnë thirrje për zgjedhje të përgjithshme në mënyrë që publiku i zemëruar të mund të thotë se kush do të bëhet kryeministri i ardhshëm britanik.

“E vërteta është se kalimi në postin e kryeministrit, nga posti i kancelarit, sikur të ishte një lloj loje, nuk do t’i sigurojë vendit udhëheqjen dhe stabilitetin që na nevojitet dëshpërimisht”, deklaroi ish-ministrja ‘në hije’ e Financave e Partisë Laburiste, Rachel Reeves, për BBC të premten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore