Lajme

Kroacia kërkon një ulëse të garantuar për pakicën kroate në Kuvendin e Serbisë


Gordan Gërliç-Radman

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliç-Radman, kërkoi nga Serbia të garantojë një ulëse për pakicën kroate në Kuvendin e Serbisë, derisa kryetari i Aleancës Demokratike të Kroatëve të Vojvodinës (DSHV), Tomisllav Zhigmanov, nuk arriti pragun e nevojshëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtura të dielën.

“Nuk jemi të kënaqur me pozitën e popullit kroat në Serbi”, tha të hënën kryediplomati kroat, duke komentuar rezultatin e përfaqësuesit të kroatëve i cili kandidoi në zgjedhje në një koalicion me partnerë nga partitë boshnjake. Gërliç-Radman deklaroi se bëhet fjalë për “pabarazi strukturore” dhe kërkoi reciprocitet të të drejtave sikurse të qytetarëve serbë në Kroaci.

“Nëse Kroacia i garantoi pakicës serbe tre ulëse në parlamentin kroat, ne gjithashtu presim të drejta të barabarta për pakicën kroate në Serbi”, theksoi shefi i diplomacisë kroate, derisa duke komentuar rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, ku Partia Progresive Serbe (SNS) shënoi fitore pothuajse absolute, nënvizoi se zgjedhjet nuk e lëhtësuan situatën politike në Serbi.

Gërliç-Radman tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ende nuk është përgjigjur në pytetjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare dhe duhet t’i zgjidhë shumë probleme. Ai shprehu shpresën se pas formimit të ekzekutivit të ri, do të takohet me ministrin e ardhshëm e të shohë se si do të zgjidhen problemet, të cilat në radhë të parë janë trashëgimi e luftës së fundit.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën, por rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi – rezultatet preliminare sugjerojnë fitore bindëse për SNS-në, megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë procesit të votimit.

Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi rreth 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, sipas sondazheve të organizatës Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi rreth 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.

Një aspekt shumë pozitiv i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, padyshim se është marrja e një mandati nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, i cili pritet të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë.

Fitorja e rehatshme e SNS-së vjen në dritën e premtimeve për avancimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE), ndërsa kultivon lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën. Gjithashtu, fitorja e partisë  së Vuçiçit erdhi në një kohë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në përgjithësi, besimi i qytetarëve serbë ndaj SNS-së vetëm e konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia nën regjimin e Vuçiçit do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, marshoi sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore