Lajme

Kriza e Sudanit: Armëpushimi zgjatet, por luftimet vazhdojnë


Fraksionet rivale të ushtrisë sudane ranë dakord të rinovojnë një armëpushim tre-ditor, pak para se të skadonte.

Zgjatja – për 72 orë të tjera – pason përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA, MB dhe OKB.

Por ka raporte të vazhdueshme për luftime të ashpra në kryeqytetin Khartoum.

Armëpushimi i mëparshëm lejoi mijëra njerëz të përpiqeshin të iknin drejt sigurisë, ndërsa dhjetëra vende janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Pothuajse dy javë luftime midis ushtrisë dhe një grupi rival paraushtarak kanë lënë qindra të vdekur.

Armëpushimi pritej të përfundonte në mesnatën e së enjtes.

Herët në mbrëmjen e së enjtes, ushtria e rregullt sudaneze ra dakord për një zgjatje, dhe rivali i saj, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) ndoqën shembullin disa orë më vonë.

Sudani i Jugut ka ofruar të presë bisedimet e paqes dhe ushtria ka rënë dakord të dërgojë përfaqësues në bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni po punonte “shumë aktivisht” për të zgjatur armëpushimin, duke shtuar se megjithëse i papërsosur ai kishte reduktuar dhunën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre më vonë tha se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.

Të premten, një aeroplan ushtarak turk në një mision evakuimi u qëllua teksa po ateronte në një aeroport jashtë Khartoum. Askush nuk u lëndua dhe RSF-ja mohoi akuzat e ushtrisë se ishte e përfshirë.

Ndërkohë, RSF dhe dëshmitarët okularë thanë se ushtria kishte goditur pozicionet e saj në Khartoum.

Ministrja e Jashtme në ish-qeverinë civile, Maryam al-Sadiq al-Mahdi, i tha BBC-së nga shtëpia e saj në Khartoum se pavarësisht armëpushimit, civilët po jetonin ende në frikë.

Luftimet janë raportuar gjithashtu në rajonin perëndimor të Darfurit dhe provinca të tjera.

Të paktën 512 njerëz janë vrarë në luftime dhe pothuajse 4 mijë e 200 janë plagosur, megjithëse numri real i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se priste të kishte “shumë më shumë” vdekje për shkak të shpërthimeve të sëmundjeve dhe mungesës së shërbimeve.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se shumica e spitaleve në zonat e konfliktit nuk funksionojnë dhe më shumë se 60% e objekteve shëndetësore në Khartoum janë joaktive.

David Miliband, kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit dhe ish-sekretari i Jashtëm britanik, tha se komuniteti ndërkombëtar ishte në rrezik të neglizhojë krizën më të gjerë në Sudan në nxitimin për të evakuuar shtetasit e huaj.

Një deklaratë e ushtrisë e cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters” tha se kishte marrë kontrollin e shumicës së rajoneve të Sudanit, por “situata është pak e komplikuar në disa pjesë të kryeqytetit”.

Vendet e huaja, përfshirë Britaninë e Madhe, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre që të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke folur të enjten në mbrëmje, Jean-Pierre u kërkoi amerikanëve të largoheshin brenda 24 orëve të ardhshme. Evakuimet po vazhdojnë, por shumë të huaj janë ende të bllokuar në Sudan. Disa kanë luftuar për të arritur në pistën ajrore të përdorur për evakuime.

Qytetarët vendas po vazhdojnë të largohen nga kryeqyteti, ku ka probleme me furnizimin me ushqime, ujë dhe karburant.

Numri i sudanezëve që ikin nga luftimet në Darfur i ka tejkaluar banorët e Çadit në fshatin Koufroun në anën tjetër të kufirit, thotë shoqata bamirëse e OKB-së për fëmijë.

Çadi nuk do të ishte në gjendje të përballonte fluksin e refugjatëve nëse situata në Sudan përkeqësohej, tha Donaig Le Du i Unicef-it.

Luftimet shpërthyen më 15 prill si rezultat i një lufte të ashpër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe RSF.

Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur më mirë si Hemedti, nuk pajtohen rreth lëvizjes së propozuar të vendit drejt sundimit civil, dhe në veçanti rreth kornizës kohore të përfshirjes së 100 mijë RSF-ve në ushtri.

Të dy fraksionet kanë frikë nga humbja e pushtetit në Sudan, sepse në të dyja palët ka burra që mund të përfundojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në Darfur pothuajse 20 vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore