Kosova

Kritikat për përçarje të shqiptarëve në Luginë, Kurti: Shkoj aty ku më thërrasin


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u përgjigjur kritikave se po i përçan shqiptarët në Luginën e Preshevës, pasi që po i mbështet kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) për kryetarë të Preshevës dhe Bujanocit, në zgjedhjet e 2 qershorit, ka thënë se shkon kudo që e ftojnë.

Këto komente, Kurti i ka bërë gjatë një tubimi elektoral që PVD-ja ka mbajtur në Prishtinë, ku prezent ishte edhe kryeministri.

“Më kanë thënë se nuk bën të marrë pjesë vetëm te dy kandidatë… unë shkoj aty ku më thërrasin”, ka thënë Kurti, derisa ka falënderuar Ardita Sinanin, kandidaten për Kryetare të Preshevës, njëherit këshilltare e tij dhe Ragmi Mustafin, kandidat për kryetar të Bujanocit dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, që e kanë ftuar.

“Aty ky është Lugina bashkë, aty jam unë bashkë me Luginën”, potencoi ai, derisa i ftoi të gjithë qytetarët e Luginës që të dalin të votojnë pasi që vlerësoi se vota e tyre “është forca për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë e prosperuse në Luginë”.

“T’i mbështesim këta kandidatë të cilët duhet ta shpien përpara edhe pozitën e qytetarëve atje, por në të njëjtën kohë edhe ëndrrat e dëshirat e rinisë që ka të drejtë më shumë e meriton shumë më tepër”.

Kryeministri theksoi se me shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës ai vepron ndryshe nga Serbia dhe krerët e saj në raport me serbët që jetojnë jashtë Serbisë.

“Beogradi bën thirrje për bojkot e obstruksion, ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje e kontribut”, potencoi ai, pasi që, sipas tij, “nuk ka vendimmarrje pa pjesëmarrje”.

Kurti vazhdon me qasjen përçarëse edhe te shqiptarët në Luginë – i bënë pjesë të fushatës edhe paratë e kosovarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore