Kosova

Kritika si asnjëherë tjetër të Amerikës për Kryeministrin e Kosovës


Ilustrim

Vetëm pak kohë pasi Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, vlerësoi Kosovën –  sipas Albin Kurtit –  për progresin ekonomik dhe demokratik, kjo konsideratë tashmë është përmbysur, pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të vepruar sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje.

Dëshmi për këtë është intervista e fundit e dorës së djathtë të Madeleine Albright dhënë për Zërin e Amerikës, ku si asnjëherë më parë artikuloi kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, duke cilësuar Kurtin si të “paaftë” në qeverisje.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien tregoi se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pastaj ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje kështu edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se a ka biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit – valutë shtetërore e Serbisë – në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan ka potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij ka ndodhur më pas kur Kurti krye në vete – ndryshe nga çfarë ka premtuar – ka proceduar me vendimin.

“Qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, vlerësoi ai.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese e me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj.

Më tej duke potencuar se vendimi i BQK-së ka zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien ka vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

Të jesh pjesë e Evropës, sipas tij, nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim.

“Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”.

Prandaj sipas tij, Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, meqë në vlerësimin e tij shtyrja e vendimit për tre muaj nuk është e mjaftueshme.

“Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

BQK-së, sipas tij, do të duhej të ofronte alternativë serbëve në Kosovë, para se të hynte në fuqi rregullorja.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

I pyetur se a lidhet çështja e dinarit me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, O’Brien ka potencuar se ky mekanizëm “do të zgjidhte këtë problem”.

“Asociacioni do ta qartësonte çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”.

Sinjalet e para të një plasaritje të thellë në marrëdhëniet në mes të komuniteti ndërkombëtar (sidomos të SHBA-ve) me Kosovën u dha qysh në Seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e thirrur nga Serbia dhe e mbështetur nga SHBA-të, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët përkundër drejtës së Vetos për të ndaluar mbajtjen e një seance të tillë, lejuan që mbledhja të ndodh.

Albin Kurti të enjten e 8 shkurtit u përballë me kritika të ashpra nga aleatët në një seancë të një organizate që është streha e plotë 193 shteteve.

Pavarësisht argumenteve të llojit se vendimi i BQK-së “s’e ndalon dinarin në territorin e Kosovës” ose “ky vendim nuk është kundër komuniteti serb në Kosovë” apo “ne vetëm po zbatojmë një nen të Kushtetutës”, ambasadorët e vendeve perëndimore në Këshillin e Sigurimit u shprehën haptazi se nuk po pajtohen me veprimin e fundit të institucioneve të Kosovës.

Ata vlerësuan se vendimi për këtë çështje është marrë pa përgatitje të duhur.

E para e cila hapi derën e kritikave ndaj Kosovës ishte Ambasadorja e SHBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield.

E drejtpërdrejtë dhe me tone kritike diplomatja amerikane kërkoi që Kosova ta pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së, meqë sipas saj, vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me komunitetin serb.

“Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” sa i përket mbylljes së zyrave paralele të Serbisë në Kosovë.

“Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, vlerësoi ajo.

Andaj ajo bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

Në anën tjetër një qasje më të butë – në krahasim me atë amerikan –  tregoi Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në KS të OKB-së i cili kërkoi që Kosova të hartojë një plan të qartë për t’u siguruar që të gjithë serbët e Kosovës mund të vazhdojnë të pranojnë të ardhurat e tyre në dinar deri në një zgjidhje të qëndrueshme.

Kosova, sipas tij, duhet t’i ushtrojë kompetencat e saj sovrane në një mënyrë që është në përputhje me vizionin e një demokracie multientike, e rrënjosur në zemër të Kushtetutës së Kosovës.

“Përmes veprimeve të fundit të saj, Banka Qendrore e Kosovës ka synuar që ta përmbushë përgjegjësinë e vet për ta rregulluar operimin e valutave të huaja, por zbatimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës deri më tani ka shfaqur konsideratë të pamjaftueshme për ndikimin ndaj komuniteteve pakicë të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Kritika me nuanca më diplomatike parashtroi edhe përfaqësuesi i Francës në KS të OKB-së, Nicolas de Rivière, i cili mirëpriti deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nëpërmjet së cilës garantoi një periudhë tranzitore për çështjen e dinarit, duke e cilësuar një hap shumë pozitiv.

Por, diplomati francez njëkohësisht kërkoi që vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të pezullohet.

Ai theksoi nevojën për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë tutje situatën në terren, ndërsa ftoi të dyja palët të riangazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe zbatimin e marrëveshjeve.

Duke folur për çështjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, ambasadori francez tha se kjo temë duhet të zgjidhet nëpërmjet themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Na ishte një herë e një kohë një Perëndim që s’e kritikonte Kosovën

Të shqetësuar e të alarmuar me deklaratat e O’Brien kundër Qeverisë së Kosovës e Albin Kurtit ishin edhe shumë analistë e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Analisti dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Agon Maliqi, si “shumë shqetësuese” i konsideroi deklaratat e O’Brien.

Gjuha e top-diplomatit amerikan, sipas Maliqit, ishte alarmuese për nivelin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“James O’Brien, dashamir i Kosovës dhe Bosnjës, ku së voni e paralajmëroi një linjë më mbështetëse ndaj boshnjakëve dhe kërcënuese ndaj Dodikut. U përpoq me gjasë të gjejë partner edhe në Kosovë, por kot. Gjuha e tij është alarmuese për nivelin e marrëdhënieve”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Në vlerësimin e Maliqit intervista e O’Brien dëshmoi se Kosova me çështje si ajo e dinarit po bën vetëvrasje.

“Çfarëdo përparësie diplomatike që u krijua me budallakinë e Vuçiç-it në Banjë, tashmë Kosova po e shemb me dorën e vet”.

Në të njëjtë linjë të mendimit ishte edhe komentatori politik, Petrit Zogaj.

Sipas tij intervista e O’Brien ishte konfirmim se SHBA-të nuk e konsiderojnë Albin Kurtin si partner.

Kurti, sipas tij, po bën çmos që SHBA-ja të tërhiqet nga Kosova.

“Nuk i duhet edhe shume mund. Janë shumë shembuj në bote ku SHBA është tërhequr, dhe ato vende kanë përfunduar në duar te grupit Vagner (për shembull Venezuela)”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Largimi i vëmendjes së SHBA-së për Kosovën, konsideroi Zogaj, do të thotë hapësirë ideale për Rusinë që të nxis ndonjë konflikt ne Veri.

“E te cilin Kosova nuk do ta fitonte kurrë pa mbështetjen e aleateve perëndimor”, pohoi ai.

O’Brien i drejtpërdrejtë: Nëse nuk trajtohemi si partner, edhe ne s’do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore