Lajme

Kreu i KKSH-së i kërkon Universitetit të Beogradit hapjen e degës së gjuhës shqipe në Preshevë


Nevzad Lutfiu

Kryetari i Këshillit Shqiptar në Serbi (KKSH), Nevzad Lutfiu, ka kërkuar nga Universiteti i Beogradit hapjen e degës së gjuhës shqipe në Preshevë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Lutfiu, përmes një postimi në Facebook.

“Sot përmes një shkrese iu drejtova Universitetit të Beogradit-Fakultetit Filologjik, Katedrës së Albanologjisë, për hapjen e degës së gjuhës shqipe në Preshevë”, ka shkruar ai.

Kreu i KKSH-së ka bëtë të ditur se me kërkesë të njëjtë i është drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

“Përveç kësaj kërkova edhe takim për t’i konkretizuar gjërat. Kjo katedër merr kuptimin e plotë kur e ka të hapur degën e saj në Preshevë, në qytetin që është i banuar me mbi 95 për qind shqiptarë”.

Përveç kësaj, Lutfiu ka thënë se hapja e kësaj dege përbën interes edhe për qytetet e rajonit të cilat janë afër Preshevës e që nuk e kanë këtë fakultet.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore