Lajme

Kreu i Bankës Botërore nën presion për të hequr dorë nga dyshimet ndaj ndryshimeve klimatike


Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass po përballet me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen.

Kritikat nga zyrtarët dhe grupet mjedisore për refuzimin e tij për të thënë nëse beson në ngrohjen globale të shkaktuar nga njerëzit dhe në rekordin e bankës në financat e lidhura me klimën, janë në rritje.

Kjo pasi ai ka shmangur dhënien e një përgjigjeje të qartë tre herë gjatë një ngjarjeje të javës së klimës në New York, kur u pyet nëse e pranonte realitetin e ndryshimit të klimës të drejtuar nga njeriu.

Për këtë ka thënë se nuk ishte “shkencëtar”.

Më vonë, Malpass u përpoq të ndryshonte kursin, duke thënë se ishte “e qartë se emetimet e gazit serrë vijnë nga burime të krijuara nga njeriu” dhe se nuk e mohonte këtë.

Por kthesa pasoi një breshëri kritikash ndaj tij.

Banka ofron kredi dhe grante për vendet më të varfra dhe shihet si thelbësore për shpërndarjen e parave në botën në zhvillim për të ndihmuar në kufizimin e ngrohjes globale teksa ekonomitë e saj rriten.

Është ofruesi më i madh i financave shumëpalëshe të lidhura me klimën. Por ajo nuk iu bashkua vendeve të shumta dhe bankave të tjera të zhvillimit që u zotuan vitin e kaluar për t’i dhënë fund financimit publik për qymyrin, naftën dhe gazin jashtë shtetit deri në fund të vitit 2022.

Sakaq, plani i tij klimatik nuk përfshin një afat kohor për heqjen graduale të financimit të karburanteve fosile direkte dhe indirekte.

Pakënaqësia në rritje ndoshta do të grumbullojë presion mbi aksionerët e bankës, vendet anëtare, në prag të samitit të klimës COP27 të OKB-së në nëntor. SHBA-të janë aksioneri më i madh dhe tradicionalisht emëron presidentin e Bankës Botërore.

Malpass u emërua nga ish-presidenti amerikan Donald Trump. Mandati i tij do të përfundojë në prill 2024.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore