Lajme

Krasniqi pret në takim Minxhozin, flasin për rezultatet e zgjedhjeve


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë takimit me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë takimit me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kanë diskutuar në lidhje me procesin e zgjedhjeve të nëntorit dhe rezultatet që sollën ato.

Kështu ka bërë të ditur vetë Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Pata kënaqësinë që sot të pres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili më uroi për rezultatin zgjedhor të PDK-së në Zgjedhjet Lokale”, ka shkruar Krasniqi.

“Gjatë këtij takimi diskutuam lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, në veçanti pas përmbylljes me sukses të procesit zgjedhor në të dy raundet”, shtoi ai.

Po ashtu, në këtë takim u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në çdo fushë.

“Ambasadorin Minxhozi e falënderova për angazhimin e vazhdueshëm për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë, si dhe theksova nevojën për forcimin e mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi në çdo fushë, për çka do të angazhohet edhe PDK”.

Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar numërimi i votave nga diaspora për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Votat nga diaspora

Këto vota kanë barazuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) me Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK) sa i përket numrit të komunave të fituara.

Që të dy këto subjekte politike kanë fituar nga tetë komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor, përkatësisht 14 nëntor.

PDK ka fituar në Prizren, Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçaniku dhe Drenas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore