Shqipëria

Kraja: Do të ketë rezultate në kohën e duhur


Arben Kraja, kreu i strukturës së SPAK-ut në Tiranë, sjell në vëmendje, në një intervistë ditën e martë, 3 gusht, se ka ardhur koha që të ndëshkohen personat e pandëshkueshëm.

“Ka ardhur koha që personat e pandëshkueshëm për arsye të suportit politik apo financiar apo për arsye të përfshirjes në strukturat e krimit të organizuar, pra të rrezikshmërisë së tyre nuk janë ndëshkuar. Ka ardhur koha që të ndëshkohen. Pa dyshim, rast pas rasti”, deklaroi Kraja.

Duke bërë një përmbledhje të situatës, zyrtari i SPAK, sqaroi se janë 23 procedime penale, në gjashtë muajt e parë të vitit, që janë regjistruar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

“Këtë gjashtëmujor janë 23 raste, procedime penale që kemi regjistruar për shkelje të barazisë në tendera, në bazë të kallëzimeve të shtetasve të ndryshëm, në bazë të kallëzimeve të subjekteve të ndryshme apo në bazë të referimit të policisë gjyqësore”, tha Kraja.

Sa i takon përballjes së shifrave shihet një trend rritës për procedimet penale për pabarazi në tendera. Kjo, pasi në vitin 2019 u regjistruan vetëm 9 procedime, ndërsa në vitin 2020 u regjistruan vetëm 41 të tilla.

Më tej Kraja thotë se “Janë tre procedime penale në hetim për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Vazhdojnë hetimet, po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme për të arritur deri në fund”.

Kreu i SPAK garantoi se do të ketë rezultate “në kohën e duhur”.

Si funksionon SPAK-u?

Kjo strukturë, së bashku me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të njohur edhe si Gjykata Speciale, ka si qëllim hetimin dhe gjykimin e të gjitha veprave penale për korrupsion ndaj ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme.

Kjo Prokurori drejton dhe kontrollon hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Prokurorët e saj zgjidhen për një mandat nëntëvjeçar pa të drejtë riemërimi.

Hetuesi emërohet në detyrë, për jo më pak se shtatë vjet, dhe gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ndërkohë Byroja Kombëtare është e përbërë edhe nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit midis Byrosë dhe institucioneve të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore