Lajme

KQZ-ja pranon tri kërkesa për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave Veriore


KQZ

Kryesuesit e Kuvendeve Komunale të tri komunave Veriore – Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut – kanë dorëzuar kërkesat – të ndara – në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për iniciativën e serbëve lokalë që përmes peticionit të shkarkojnë kryetarët shqiptarë të komunave në fjalë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili para mediave të mërkurën ka treguar se përmbajtja e këtyre kërkesave është e njëjtë.

Këto kërkesa janë hartuar në bazë të Udhëzimit Administrativ, i hartuar nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi.

“Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit iniciues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë me dije se institucioni që ai e përfaqëson është duke i trajtuar këto kërkesa dhe brenda afatit të paraparë me proceduara, do t’u kthejë përgjigje.

“Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil”, shtoi.

Mirëpo, një ditë para kësaj deklarate, është bërë me dije se kërkesa e qytetarëve serbë për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk është pranuar, për shkak se e njëjta nuk ka qenë në përputhje me atë se çfarë parasheh Udhëzimi Administrativ.

Albanian Post ka siguruar edhe dokumentin që u është dërguar grupit nismëtar, ku u është bërë me dije edhe arsyeja e mospranimit të kërkesës së tyre.

Vendimi

“Kjo kërkesë nuk pranohet nga kryesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr.02/2023 për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni”, thuhet në vendimin e siguruar nga AP.

Për këtë, AP ka kontaktuar edhe Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili konfirmoi mospranimin e kësaj kërkese, derisa tregoi edhe arsyet që e kanë çuar për të marrë një vendim të tillë.

“Nuk është pranuar kërkesa. Ata janë të obliguar që t’i plotësojnë kushtet sipas Udhëzimit Administrativ, sepse ata kanë bërë disa gabime”, tha fillimisht Ugljanin.

“Ata kanë qenë të obliguar për njoftim të kryesuesit për formimin e grupit iniciues, dhe ai grupi iniciues duhet që përmes Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të regjistrohet”, shtoi.

Mirëpo, siç bënë me dije Ugljanin, grupi iniciues se ka bërë këtë hap, që parashihet në Udhëzimin Administrativ – i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

“A e kanë bërë qëllimisht, s’merrem me këto çështjet politike, por veproj sipas ligjshmërisë dhe sipas Udhëzimit Administrativ dhe duke u referuar në këto ia kam kthyer përgjigjen negativisht”, pohoi ai.

Çfarë konkretisht shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore