Shqipëria

KPA-ja shkarkon gjyqtarin e Tiranës, Kastriot Gramshi


Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka njoftuar të enjten e 2 marsit se ka shkarkuar nga detyra, gjyqtarin e Tiranës, Kastriot Gramshi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, vëren KPA-ja në njoftimin zyrtar.

Kjo e fundit, hedh poshtë vendimin e marrë në 25 mars të vitit të kaluar kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi një vit më parë se kishte rihapur hetimet ndaj gjyqtarit të Tiranës, për të verifikuar dyshime shtesë mbi pasurinë e tij.

Trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun tha se Gramshit i ishin kërkuar shpjegime shtesë mbi ndërtimin e një “çatie të banueshme”, pagesë tatimesh në SHBA dhe të ardhurat e përfituara atje, sipas “Reporterit”.

Shuli lexoi relatimin shtesë duke vënë në dukje edhe qëndrimet e gjyqtarit.

Ajo tha se KPK-ja e nisi verifikimin për të kuptuar nëse mbi tarracë kishte ndërtim shtesë, por se Gramshi kishte sqaruar se fjala “e banueshme” ishte përdorur në kuptimin e tarracës së shfrytëzueshme.

KPK-ja, vëren “Reporteri”, tha se Gramshi kishte kundërshtuar vendosjen në dispozicion të fotove me pretendimin se i shkelej privatësia, por ia kishte dhënë ato Komisionit.

Sipas relatores Gramshi po ashtu kishte pretenduar se rihapja e hetimeve bëhej me kërkesë të një personi që kërkonte të “hidhte baltë” mbi figurën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore