Lajme

Kosovë: Në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, përurohet Qendra e rinovuar e Azilit


Për të gjithë të dëbuarit nga shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve nuk kanë më shpresa për tu rikthyer. Për të gjitha ato miliona familje të cilat i kanë humbur shtëpitë gjatë konflikteve të dhunës dhe luftës, Asambleja e Kombeve të Bashkuara vendosi që 20 qershori të shënohet si Dita Botërore e Refugjatëve.

Për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave e fëmijëve të cilët u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

Në prag të kësaj date, në Kosovë Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNHCR organizojnë një aktivitet.

Qendra e Azilit në Vranidoll do të përurohet, pas renovimit, në shënim të kësaj dite.

Renovimi i qendrës së azilit u financua përmes projektit rajonal të BE-së “Adresimi i sfidave të COVID – 19, në reagimin ndaj migrantëve dhe refugjatëve në Ballkanin Perëndimor”.

Ky aktivitet do të hapet nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfecla, Shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduc, përfaqësuesi i lartë nga zyra e BE-së në Kosovë dhe koordinatorja e OKB-së për zhvillim në Kosovë, Urlika Richardson si dhe zyrtarë të tjerë të UNHCR-së dhe MPB-së.

Institucionet e Kosovës, vite më parë kanë rregulluar një qendër për azilkërkues me kapacitet për 100 persona në fshatin Magure të Komunës së Lipjanit.

Por, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve, vitin e kaluar është hapur edhe një qendër tjetër për emigrantet në fshatin Vranidoll të komunës së Prishtinës, me më shumë kapacitet.

Emigrantët apo azilkërkuesit pasi marrin një letërnjoftim, ata kanë të drejtë të qëndrojnë në Kosovë të lirë deri në një vendim ligjor për statusin e tyre.

Ata, gjatë kësaj kohe, mund të lëvizin të lirë në gjithë Kosovën nga ora 7 në mëngjes deri në orën 22 të mbrëmjes.

Sipas ligjit në fuqi, Kosova i jep statusin e refugjatit shtetasve të huaj apo personave pa shtetësi, me kërkesën  tyre, të cilët i plotësojnë kriteret e refugjatit, sipas ligjit.

Ministria e punëve të brendshme, këtyre personave u lëshon status të refugjatit dh leje qëndrimi për së paku tri vjet, veç nëse arsyet imponuese të sigurisë shtetërore apo të rendit publik, kërkojnë ndryshe.

Sipas statistikave, në vitin 2018 në Kosovë azil kanë kërkuar 600 persona. Në vitin 2019, 2.100 persona, dhe tash në vitin 2020 [vetëm në muajin janar] më shumë se 300 persona.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore